Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi ka vdekur sot në moshën 86 vjeçare.
Kështu raportojnë mediet italiane mëngjesin e sotëm.
Katër herë kryeministri i Italisë ka qenë një figurë kontroverse në politikën italiane për më shumë se një çerek shekulli.
Biznesmeni italian vdiq sot në Milan. Lideri i partisë Forca Italia vuante nga leukemia kronike mielomonocitike dhe ishte hospitalizuar më 9 qershor në spitalin San Raffaele.
Berlusconi kishte lindur më 29 shtator 1936.
Ai bëri pasuri të madhe në fushën e ndërtimit. Sidoqoftë, famën e madhe e mbërriti kur bleu një medium të vogël dhe nisi ta ndërtonte duke e bërë grupin medial më të madh privat në Itali.
Perandoria e Berlusconit përfshinte gazeta, revista, shtëpi botuese, klube të futbollit, aksione në panga dhe kompani të sigurimeve.
Në vitet ’80 dhe ’90, televizionet e Berlusconit arritën sukses enorm. Kjo kishte bërë që ai të hapte rrjete televizive në Francë, Gjermani dhe Spanjë.
Sa i përket aktivitetit politik, ai është dominuar nga problemet e tij me ligjin. Shumica e lëndëve ndaj tij megjithatë kanë përfunduar me parashkrime dhe vendime liruese, megjithëse më 2013 ishte dënuar për evazion fiskal.
Pasuria e tij vlerësohej se ishte 6.8 miliardë dollarë në vitin 2022.