Pranimi i Valon Mustafës në programin GEMBA në Fakultetin CEIBS (China Europe International Business School) në Shanghai është një fitore e madhe jo vetëm për Valonin, por edhe për Kosovën.
Si student i parë nga Kosova dhe studenti më i ri në program, ai ka arritur të kalojë konkurrencën e fortë dhe kushtet e rrepta të aplikimit në këtë program prestigjioz.
Valon Mustafa u lind në Gjermani më 3 tetor 1994, por në vitin 2009 ai kthehet në Kosovë me familjen e tij. Pas mbarimit të shkollës së mesme në Gjimnazin “Loyola” në Prizren, ai bashkë me motren e tij Vjollcën, shkon në Gjermani për të studiuar inxhinieri të makinerisë dhe që të dy diplomohen me sukses. Gjatë studimeve, Valoni punoi në fabrikën „Haver und Boecker“ në Oelde të Gjermanisë dhe diplomoi edhe në mekatronikë.
I kaloi të gjitha nivelet e punës, që nga mekaniku i thjeshtë, instalues i sistemeve elektrike dhe në dy vitet e fundit atje udhëhoqi projekte të ndryshme në katër anët e botës.
Në vitin 2018, Valoni punësohet në “Haver Technologies Tianjin” në Kinë në postin e drejtorit të operativës. Ai ka qenë në krye të ekipit të menaxhmentit që ka drejtuar kompaninë me sukses dhe në fund, në 1 janar 2023, u emërua Zv. Drejtor Gjeneral i kompanisë.
Valoni flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, gjermane, angleze, ndërsa mjaftueshëm gjuhën franceze dhe tani edhe atë kineze.
Programi GEMBA në CEIBS Shanghai, i ranguar në vendin e dytë në botë, është një program studimi master që u ofron studentëve një mundësi për të zgjeruar horizontet e tyre të biznesit dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre në një mjedis global. Me një moshë mesatare 41 vjeç dhe një përvojë pune mesatare prej 17 vitesh për studentët e tjerë në program, Valoni është ndër ata studentë që synojnë të zgjerojnë horizontet e tyre dhe të ndërtojnë aftësitë e tyre në një nivel të lartë biznesi.
Kostoja e studimeve është rreth 120,000 dollarë amerikanë, të cilat Valoni do t’i mbulojë vetë. Pranimi i tij në këtë program të lartë është një arritje e jashtëzakonshme, pasi nga kandidatët kërkohen kritere shumë të larta. Për t’u pranuar në program, përveç suksesit në studime, provimeve pranuese e intervistave sfiduese, kandidatët duhet të kenë përvojë pune prej të paktën 10 vitesh, nga të cilat së paku 7 vite në poste menaxheriale.
Valon Mustafa është një finalist i gjeneratës së parë në ATOMI Kosovë, një institut që promovon dhe përkrahë personat me inteligjencë të jashtëzakonshme në Kosovë. Ai është anëtar i “MENSA in Deutschland e.V,” rrjeti më i madh botëror për njerëzit me IQ mbi 130.
Pranimi i Valon Mustafës në programin GEMBA (Global Executive Master of Business Administration) në CEIBS është një arritje e jashtëzakonshme dhe një shembull i frytshëm për të gjithë studentët në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit. Ky sukses tregon se, edhe pse është e vështirë, me përkushtim dhe punë e vullnet, mund të arrihet.