Plagosja e efektivit të policisë Gjergj Ndërshtiqaj në Shkodër dhe kunatit të tij Gjon Nika, mbetet ende pa autor.
Policia e Shkodrës për këtë ngjarje vijon hetimet dhe 20 persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje në komisariatin e Shkodrës.
Dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Shkodrës, ndërsa secili kanë marrë nga dy plumba në trup. Të dëmtuarit janë qëlluar me mbi 100 plumba, mbi katër karikatorë automatiku, por kanë shpëtuar mrekullisht.
Pas ngjarjes së rëndë tre automatikë kallashnikov janë gjetur në automjetin e djegur të autorëve ndërsa janë sekuestruar nga policia si provë materiale. Autorët dyshohet se kanë qenë të maskuar ndërsa nga pamjet e kamerave të sigurisë të lokalit përpara të cilit ndodhi ngjarja është e paqartë nëse kanë qëlluar pasi kanë dalë nga makina e tyre apo nga brenda saj. Nga kamerat nuk është arritur të bëhet identifikimi i tyre, pasi autorët nuk dalin në pamje.
Ndërkohë, polici Gjergj Ndërshtiqaj ka patur armën e shërbimit me vete, por nuk e ka përdorur, pasi nuk ka arritur që të kundërpërgjigjet. Të plagosurit janë qëlluar sapo kanë dalë nga makina e tyre e cila nga plumbat e shumtë mori flakë.
Në momentin që ka nisur breshëria e plumbave polici dhe kunati i tij janë fshehur pas automjetit të tyre ndërsa i treti që nuk u plagos ka arritur që të largohet në zonë.
Autorët me një automjet pa targa dyshohet se i kanë ndjekur të plagosurit nga mbrapa dhe pasi këta të fundit janë ndalur në afërsi të një lokali menjëherë i kanë qëlluar. Të dëmtuarit janë shprehur përpara oficerëve të policisë gjyqësore se nuk kanë dalluar autorët dhe sapo kanë zbritur nga makina kanë dëgjuar të shtënat.
“Nuk kemi konflikte me persona të tjerë dhe nuk e dimë arsyen përse na qëlluan. Në momentin kur nisën të shtënat kemi lëvizur me shpejtësi duke u munduar të shpëtojmë. Derisa janë larguar qëndruam pas makinës”, kanë thënë ata.
Në Shkodër menjëherë pas kësaj ngjarje të rëndë mbërriti drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Muhamet Rrumbullaku, duke qenë në krye të hetimeve. Ai për disa orë takoi prorkurorin e Shkodrës Albert Murçaj dhe drejtuesit e lartë të policisë në mjediset e komisariatit të Shkodrës. Mbetet ende e paqartë se cili është motivi i kësaj ngjarje të rëndë.