U ‘pasurua’ duke mos dërguar porositë përmes postës ‘online’, arrestohet shqiptarja

Mashtronte përmes një poste duke përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, arrestohet pronarja në Korçë.

Burime konfidenciale bëjnë me dije se shtetasja A. B, nga Korça, prej disa muajsh ishte nën hetim pasi dyshohet se ka vjedhur shuma monetare në lek dhe valutë, duke mashtruar bizneset të cilat operonin online dhe dërgonin porositë e tyre tek klientët në Korçë.

Sipas të dhënave, mësohet se pasi qytetarët që kishin bërë porosi nga këto biznese merrnin pakot e tyre dhe kryenin pagesën, A.B. nuk ua dorëzonte këto pagesa bizneseve duke i mashtruar.

Hetimi ka filluar pak muaj më parë, pas denoncimeve të bëra nga disa biznese, ndërkohë që nuk dihen ende shifrat që ajo ka përfituar duke përdorur mekanizma të ndryshme mashtrimi.

Në lidhje me rastin po hetohet nga ana e prokurorisë dhe policisë nëse ajo ka vepruar e vetme apo ka patur edhe bashkëpunëtorë.