Ushtruesi i Detyrës (U.D.) i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka mohuar kategorikisht pretendimet se ai ndodhej në fshatin Reçak më 16 janar, pranë gjyqtares famëkeqe Danica Marinkoviq, duke hedhur një sfidë publike ndaj çdo prove të mundshme.
Kelmendi u pyet nga gazetarët nëse ishte në dijeni të ekzistencës së pamjeve të Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP) të datës 16 janar në xhaminë e Reçakut, ku pretendohet se ai shihet pranë Marinkoviqit.
Përgjigja e tij ishte e prerë dhe me një zotim të fortë personal. Kelmendi mohoi praninë e tij në Reçak para vitit 2001, duke deklaruar:
“Kurrë, absolutisht kurrë, kurrë, kurrë në jetën time s’kam qenë në Reçak deri në vitin 2001. Mund të shihni figura çfarë të doni, me çfarëdo ekspertize, me çfarëdo eksperti vendor e ndërkombëtar, nëse del fotografia ime dhe nëse dal unë aty si pjesëmarrës jo vetëm që jap dorëheqje sot, por e lëshoj Kosovën, do të iki dhe do të zhdukem nga kjo botë sepse nuk bëj gjëra të tilla.”
Ai shtoi se nuk do ta kishte problem ta pranonte nëse do të kishte qenë aty, por theksoi se diçka që nuk ekziston nuk duhet të thuhet.
“S’do ta kisha problem nëse kisha qenë, sot kisha thënë por diçka që s’ekziston nuk është korrekte të thuhet,” përfundoi U.D. i Kryeprokurorit.

