“Turp, e shpërfaq vogëlsinë”: Kurti kritikohet pasi e quajti Thaçin autoritar dhe e krahasoi me Vuçiqin

Në një fjalim në Forumin e Paqes në Paris, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, u pyet për korrgjimin e kufijve, ide që dikur përkrahej nga ish-presidenti Hashim Thaçi.

Ndonëse nuk e përmendi emrin e këtij të fundit, Kurti vlerësoi se projekti i korrigjimit të kufijve shihej si zgjidhje e “liderëve autoritar”, pra Thaçit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Kjo gjuhë e Kurtit, ka ngjallur shumë reagime në Kosovë.

Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së dhe një nga bashkëpunëtoret e afërta të Thaçit, e quajti si të tuprshme mënyrën e përgjigjes së Kurtit.

“Ka kohë që Kryeministri Kurti merret me Presidentin Thaçi, si në Kuvend të Kosovës ashtu edhe në vizita të tija jashtë vendit. Kjo është një turp që vetëm sa e shpërfaq vogëlsinë e kryeministrit aktual dhe cektësinë e rezultateve te qeverisjes së sotme. Presidenti Thaçi nuk ka mundësi t’ja kthej sepse eshte në paraburgim duke mbrojtur UÇK-në.” – shkroi Çitaku.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së, shkroi se i vetmi lider që e hap temën e shkëmbimit të territoreve është Kurti.

“Në katër vitet e fundit i vetmi lider që e hap temën e shkembimit të territoreve është Kurti!

Është strategji e politikanëve kur dështojnë keq në politika të brendshme me hap tema të vdekura dhe me lu patriotin.” – shkroi Miftaraj.

Edhe Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim, publikoi një shkrim, që më shumë ishte reagim ndaj kryeministrin Kurti rreth deklaratës së tij mbi korrigjimin e kufijve. Duke komentuar deklaratën e Kurtit në Forumin e Paqes në Paris, Murati shkroi se edhe për Asociacionin Kurti thoshte se ka vdekur. Sipas Muratit, sot nuk dihet se cili është gjallë dhe i suksesshëm.

“Kryeministri sot paska thënë se ideja e ripërcaktimit të kufijve ka dështuar por nuk ka vdekur. Ndërsa për projektin e asociacionit në vitin 2015 dhe 2016 thoshte se ka vdekur! Nëse ka dështime dhe vdekje projektesh, ne sot nuk po e dimë se cili është gjallë dhe i suksesshëm njëkohësisht?” – shkroi ai.

Menjëherë pas fjalimit të Kurtit, Aida Derguti, ish-deputete e VV-së, postoi një video të Thaçit me një mbishkrim interesant.

“Kur e ka mirë, e ka mirë. Inati mundeni me ia pasë, po hakun mos ia hani.” – shkroi Dërguti.

Çka tha Kurti?

Në fjalimin e tij, Kurti u pyet për korrigjimin e kufijve, i cili projekt, sipas Kurtit, ka dështuar, por jo edhe ideja.

“Beogradi nuk ishte i lumtur me shkatërrimin e ish-Jugosllavisë, të cilën ata e shkaktuan. Tani ne jetojmë në kohën kur ky projekti i shkëmbimit të territoreve ka dështuar, por më duhet ta them që ideja nuk ka vdekur. Dhe e shoh shpesh kur e takoj apo e dëgjoj presidentin e Serbisë duke folur publikisht apo duke u angazhuar në dialog në Bruksel, sepse fantazitë mund të mos jenë të vërteta në kuptimin e realiteteve faktike, por kushtëzon mendimin, sjelljen dhe veprimet e aktorëve. Prandja, njerëzit që ëndërruan me sy hapur për disa vite për ndarjen e Kosovës, ndryshimin e kufijve, është shumë e vështirë për ta që të largojnë nostalgjinë dhe hidhërimin e tyre dhe të angazhohen në mënyrë të duhur në një zgjidhje, që do të ishte zgjidhje demokratike dhe evropiane.” – tha Kurti në Paris, transmeton Nacionale.

Ndonëse nuk e përmendi me emër Hashim Thaçin, ish-president i Kosovës, Kurti vlerësoi se në Kosovë ky projekt i shkëmbimit territorial përkrahej. Tutje, ai vlerësoi se projekti shihej si një marrëveshje e shpejtë ndërmjet liderëve autoritarë dhe se kishte ngjyrime feudale.

“Ky projekt i shkëmbimit të territoreve e kishte homologun edhe në Kosovë nga një prej paraardhësve të mi, sepse në atë kohë shihej më shumë si zgjidhje e shpejtë, marrëveshje e shpejtë ndërmjet liderëve autoritarë që mund të flasin për popullin si familjet e tyre dhe që mund të flasin për territoret e shteteve si të ishin prona private. Ajo kishte diçka si ngjyrim feudal, monarkik, mbretëror, që më nuk është. Por më duhet të pranoj që përkundër dështimit të projektit, ideja është ende aty, por pa ndonjë mundësi që të ringjallet. Sa më shpejt që i normalizojmë marrëdhëniet me njohjen de jure dhe de facto është më e mirë për të gjithë” – tha ai.