Tri aksidente me fatalitet kanë ndodhur të shtunën në Kosovë. Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar edhe 26 aksidente me persona të lënduar dhe 36 të tjera vetëm me dëme materiale, shkruan Express.
Policia njofton se në Fshaj të Gjakovës, të shtunën rreth orës 13:10, si pasojë e një aksidenti mes një veture dhe një kamioni, kanë pësuar lëndime trupore i dyshuari dhe tre viktima, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në spitalin e Gjakovës.
Mjekët kanë konfirmuar se njëri nga ta, mashkull, ka qenë pa shenja jete.
“I dyshuari vazhdon trajtimin mjekësor në spitalin e Gjakovës ndërsa dy viktimat tjera pas tretmanit mjekësor lirohen për në shtëpi. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, dhe rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së.
Të shtunën, rreth orës 14:20, ka ndodhur edhe një tjetër aksident me fatalitet në autostradë në Lipjan.
Aksidenti ka ndodhur mes dy kamionëve, njëri me targa vendore dhe tjetri me targa të shtetit të Shqipërisë me drejtues meshkuj “dhe si pasoj përveç dëmeve materiale lëndim vdekje rurës ka pësuar viktima mashkull shtetas i Shqipërisë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion”, njofton policia, transmeton Express.
Ndërsa, në rrugën Qarkore ne Gjilan, një person nga pakujdesia duke drejtuar automjetin e tij ka goditur për vdekje një këmbësor.
“Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për Obduksion ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton policia.
Për shkelje të ndryshme në trafik, dje policia ka shqiptuar 1605 gjoba.