“Trepça Sh.A.”, ka nisur një fushatë të re për rivitalizimin dhe kthimin e pronave të saj të paluajtshme.
Menaxhmenti i ndërmarrjes ka ndërmarrë hapa për të siguruar dëshmi të pronësisë dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim nga të gjitha subjektet e interesuara.
Sipas njoftimit zyrtar, “Trepça Sh.A.” është shoqëri aksionare e formuar në bazë të Ligjit për Trepçën dhe operon sipas legjislacionit në fuqi.
Këto prona, siç thuhet në njoftim, do të kthehen në shfrytëzim nga “Trepça Sh.A.”, ku disa prej tyre do të lëshohen me qira dhe disa të tjera do të përdoren për zhvillimin e kapaciteteve të reja.
“Po punojmë në rishikimin e infrastrukturës ligjore e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit tekniko-teknologjik si parakusht për rivitalizimin e Trepçës si një ndërmarrje me rëndësi të veçantë, jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik. Në të njëjtën kohë së bashku me Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe zyrat regjionale kadastrale jemi duke siguruar dëshmi për pronësinë e “shoqërisë”. Të gjitha këto prona do t’i kthehen në shfrytëzim ndërmarrjes, me ç’rast disa prej tyre do t’i lëshojmë me qira e disa do t’i përdorim për zhvillimin e kapaciteteve të reja. Me qëllim të realizimit të këtyre objektivave, në rend të parë kthimin e pronave tek pronari, Menaxhmenti i “Trepça Sh.A.” ka vendosur që t’i drejtohet opinionit publik me një kërkesë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Menaxhmenti i “Trepça Sh.A.” u ka drejtuar një kërkesë publike të gjitha subjekteve juridike dhe fizike, organizatave të shoqërisë civile dhe subjekteve të tjera që aktualisht sipas tyre, po shfrytëzojnë pronat e paluajtshme të ndërmarrjes, që brenda një afati 30-ditor, deri më 10 korrik, të kontaktojnë zyrat e menaxhmentit në Parkun Industrial në Mitrovicë.