Trazohen banorët: Dikush në Gjakovë gjuan mbi 10 herë me kallashnikov dhe zhduket

Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka raste kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr.

Disa krisma u dëgjuan edhe dje në rrugën ‘Gasper Karaqi’ në Gjakovë, por që nuk dihet se kush e shkrepi armën dhe cilat janë motivet e rastit.

Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar në Polici një qytetar, i cili ka deklaruar se janë gjetur plot gëzhoja në atë rrugë dhe s’kishin informacione se çka ka ndodhur.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilët kanë gjetur dhe konfiskuar mbi 10 gëzhoja të kallashnikovit.

Me urdhër të prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.