Më 5 nëntor, bëhen shtatë vjet nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në qelinë e burgut në Prizren.
Teksa Prokuroria atëkohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.
Në përvjetorin e shtatë të vdekjes së Astrit Deharit, avokati i familjes, Tomë Gashi, ka kërkuar nga prokurori i rastit, Afrim Shefkiu, që të hartohet një raport i detajuar lidhur me hetimet penale që janë bërë deri me tash për këtë rast.
Në kërkesën që e ka siguruar gazeta Nacionale, avokati Gashi kërkon që ky raport të hartohet sa më shpejt.
Astrit Dehari u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit bashkë me disa aktivistë të tjerë.
Kujtojmë se mostrat e Deharit u zhdukën në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. E Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati thënë se ky veprim ka për qëllim që të dështojë përfundimisht procesin hetimor për vdekjen e Deharit. U pezulluan nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), të cilët më pas u kthyen në punë. Por se kush i zhduki mostrat, nuk dihet ende.
E sot para Prokurorisë Speciale do të mbahet protestë. Këtë e ka bërë të ditur përfaqësuesi i familjes Dehari, Tomë Gashi përmes një statusi në facebook ku ka thënë protesta do të mbhet për shkak të neglizhencës së Prokurorisë për ta trajtuar këtë rast.