Bashkimi Evropian është në pritje të përgjigjes së Kosovës për një propozim lidhur me çështjen e targave serbe, që gjatë ditës së martë i dërguari i Posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, ia ka prezantuar kryenegociatorit të Kosovës për dialog, Besnik Bislimi, gjatë takimit të tyre në Bruksel.
Kështu kanë thënë për Radion Evropa e Lirë burimet diplomatike në BE, por pa dhënë detaje për propozimin në fjalë.
Burimet kanë konfirmuar se fjala është për propozimin për të zgjidhur urgjentisht çështjen e zbatimit të vendimit për ndërrimin e targave ilegale të Serbisë, në mënyrë që të shmangen tensionet në veri të Kosovës.
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, tha më 16 nëntor në Prishtinë se “ka elemente që i kemi diskutuar për mundësinë për dalje nga kriza, por nuk ka dakordim”.
Ai theksoi se nuk e di se çka do të ndodhë më 21 nëntor, sepse “jemi në bisedime”.
Qeveria e Kosovës nga 1 nëntori ka nisur zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targa RKS, Republika e Kosovës.
Faza e dytë do të zbatohet nga 21 nëntori dhe parasheh gjoba deri në 150 euro për të gjithë shoferët e automjeteve me targa ilegale serbe.
Qeveria e Kosovës do që këto automjete të riregjistrohen me targa të Republikës së Kosovës, RKS, por Serbia kundërshton, duke këmbëngur në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Në rast se pala kosovare jep përgjigje gjatë ditës për këtë propozim, dhe varësisht nga ajo përgjigje, i dërguari i BE-së për dialogun, Lajçak, mund të vizitojë Beogradin për të biseduar edhe me palën nga Serbia.
Burimet e BE-së kanë përsëritur atë që më herët e kishte thënë edhe përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, se duhet gjithsesi të arrihet një zgjidhje para datës 21 nëntor.
Një prej mundësive që përmenden nga burimet diplomatike është që të zgjatet afati kohor për ndërrimin e targave, edhe për dhjetë muaj, por pala kosovare, sipas të njëjtave burime, ka kërkuar nga BE-ja edhe sqarime se si do të jetë qëndrimi i saj pasi të skadonte një afat i tillë.
BE-ja nuk e vënë në dyshim të drejtën e Kosovës për t’i zëvendësuar targat e veturave, por deri më tash ka kërkuar që kjo të bëhet duke respektuar afatet kohore për të cilat BE-ja mendon se kanë afat edhe dhjetë muaj.
Gjatë një diskutimi me temën “Raporti i Zgjerimit: Çfarë ka në të për Kosovën?”, të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në Prishtinë, Besnik Bislimi tha se të gjithë hapat që janë duke u ndërmarrë në raport me situatën e krijuar në komunat veriore, janë për të vendosur ligjin, por mundësisht pa krijuar tensione.
Ndryshe, plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.
Janë rreth 9.000 makina me targa të tilla që qarkullojnë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që nga paslufta, më 1999.
Në shenjë kundërshtimi lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, nga 5 nëntor serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Në pjesën veriore të urës mbi Lumin Ibër që ndan Mitrovicën, shihen flamujt e Serbisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpall 18 dhjetorin datë të mbajtjes së zgjedhjeve në këto komuna të banuara me shumicë serbe.
Por, derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka nisur përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në komunat në veri të Kosovës,Lista Serbe ka thënë se kjo parti dhe qytetarët që e mbështesin atë, nuk do të jenë pjesë e këtij procesi zgjedhor.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos nis zbatimi i fazës së dytë për targa që parasheh gjoba deri në 150 euro.