Tjetër: Lista Serbe u zvogëlua gati dyfish në komunat veriore

Shkruan: Tjetër.net

Në bazë të rezultate preliminare të publikuara nga KQZ-ja, del se Lista Serbe është zvogëluar gati dyfish në këto zgjedhje në raport me zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Në Mitrovicën e Veriut ka marrë vetëm 4669 vota në vitin 2025. Në vitin 2021 i kishte pasur 10883.

Ndërkohë, ka pësuar rënie drastike edhe në komunën e Zveçanit ku i kishte 5394 vota në vitin 2021 dhe i ka vetëm 3416.

Në Zubin Potok ndërkohë rënia është më e vogël. Nga 3225 vota në 2873.

Rënie e madhe e votës vërehet edhe në Leposaviq, megjithëse atje deri në momentin e përgatitjes së kësaj videoje janë numëruar vetëm 32% e votave. Por, me trendin aktual edhe atje do t’i humbte gati 2000 vota në raport me vitin 2021 sepse do t’i kishte diku 7000.

Por, që të jemi krejt preciz po i fusim në total vetëm tri komuna: Në vitin 2021 për kryetarë komune në Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok, Lista Serbe mblodhi 19452 vota. Në vitin 2025 në po të njëjtat komuna vetëm 10 mijë e 958.

Por, por, por, por, duhet ta bëjmë edhe një digresion. Lista Serbe ka shënuar rritje edhe në komunat e veriut nëse e krahasojmë me vitin 2017. Atje ka pasur më pak vota edhe në Leposaviq (nëse vazhdohet ky trend), edhe në Zveçan por edhe në Zubin Potok.

Ndërkohë, trendi i uljes së Srpskas në veri në vitin 2025 nuk është përcjellur edhe në gjashtë komunat me shumicë serbe në jug ku rezultati ka mbetur thuajse identik.

Nga 19102 vota që i kishte pasur në vitin 2021 tubuar bashkë në këto komuna, tash i mori 19182.

Duhet pasur parasysh që s’janë numëruar ende votat e diasporës, e të cilat në të kaluarën kanë qenë me bollëk për Listën Serbe, dhe kjo mund ta ndryshojë paksa tablonë e përgjithshme./Tjetër.net