Pal Trashaj, të cilit iu ishte marrë pasuria nga përmbaruesit që punojnë për kompanitë e mikrokredive, ka humbur jetën mëngjesin e sotëm (3 Korrik) një ditë pasi piu fostoksinë përpara ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.
Ngjarja ka tronditur jo vetëm të pranishmit, pasi në momentin e ngjarjes kanë qenë të shumtë personat që janë përballur me skenën e dhimbshme, ndërkohë që qytetari kishte kërkuar të takohej me një hetues të BKHsë ose dikë nga Prokuroria.
Qytetari është pikasur shpejt nga të pranishmit në oborrin e SPAK, i është dhënë ndihma e parë dhe është thirrur ambulanca, duke e dërguar në repartin e reanimacionit të QSUT-së. Por 63-vjeçari nga Lezha nuk ia ka dalë dot të mbijetojë duke humbur jetën mëngjesin e sotëm (3 Korrik).
SPAK reagoi në lidhje me ngjarjen, e cila ndodhi pasditen e djeshme para ambienteve të godinës së Prokurorisë, ku 63-vjeçari, Pal Trashaj konsumoi fostoksinë. Sipas njoftimi të SPAK, Pal Trashaj, është paraqitur te oficeri i informacionit dhe ka kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH për një çështje, e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022.