Afrim Muçiqi beson se Ismet Munishi nuk është trajneri i duhur për Prishtinën.
“Është një djalë i mirë, një ‘showmen’ i mirë. Por, nuk është i duhuri për Prishtinën”, tha Muçiqi të dielën, në një deklaratë për Televizionin T7.
Ish-aksionari i FC Prishtinës tha se skuadra duhet të drejtohet nga një trajner i dëshmuar. Muçiqi tha se pavarësisht që Munishin e ka mik, ai “nuk është i duhuri”.
“Edhe mendoj që Prishtinës i duhet një trajner që e ka një bagazh të jashtëzakonshëm edhe klubi duhet të ecë përpara. Ismetin e kam mik të mirë, është djalë i mirë, por megjithatë Prishtina është shumë e madhe. Për me qenë trajner i Prishtinës duhet me pasë një eksperiencë pak më ndryshe në mënyrë që Prishtina të ketë vendin ku e ka sot Ballkani”, tha Muçiqi.
Deklaratat e tij thumbuese ndaj trajnerit të klubit e kanë acaruar KF Prishtinën.
Klubi kryeqytetas i ka reaguar Muçiqit përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook të dielën në mbrëmje. Ka demantuar këngëtarin nga Podujeva.
KF Prishtina, përmes reagimin zyrtar, ka bërë të ditur se Muçiqi i ka shitur të gjitha aksionet në klub dhe se nuk ka leje të flasë në emër të tij.
“Sqarim i opinionit rreth deklaratave publike të ish-aksionarit Afrim Muçiqi. FC Prishtina njofton opinionin publik se Afrim Muçiqi nuk është më pjesë e klubit tonë, ku më herët ka qenë aksionar dhe drejtor. Ylli i mikrofonit ka të drejtë të flas për klubin, por vetëm si tifoz i ekipit nëse ndjehet i tillë, e jo si pjesë e jona”, thuhet në njoftimin e klubit.
Ismet Munishi po e udhëheq Prishtinën për herë të parë në karrierën e tij si trajner. Në një formë të mirë, me tri fitore në tri ndeshjet e fundit, skuadra bardhekaltër renditet e treta në Superligë.