Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati. Ajo e ka quajtur Muratin “ministër propaganda”.
Bajrami ka shkruar se Murati po thotë që i ka rritur pagat për 17 për qind, po në këtë përqindje “e ka llogaritur pagën 7500 euro të Gani Jakupit dhe pagën e vet e të stafit politik”.
“Ministër propaganda po thotë që i ka rritë pagat 17%, në këtë 17% e paska llogaritë pagën 7500 euro të Gani Jakupit dhe pagën e vet e të stafit politik që ky me tu bërë ministër i financave i ka dyfishu. Realiteti është se askujt tjetër në vend në sektorin publik nuk i është rritë paga 17% gjatë vitit 2023, askujt. Dhe kur ti thua që i ke shpenzu më shumë 17% më shumë në paga kjo nuk i bjen që i ke rritë pagat për 17%, por i bjen që me taksat e qytetarëve po paguan Gani Jakupin e shokët e tij që nuk janë të paktë dhe ky është keqpërdorim i parasë publike.”
Ajo ka thënë se në mandatin e Muratit, inflacioni është rritur dhe sipas saj çdo pagë është zhvlerësuar më së paku 23 për qind.
“Ndërsa sa i përket rritjes së pagave në kohën e Avdullah Hotit minister i financave, ta kujtoj se inflacioni në atë kohë ka qënë -0.4 % (2015); 0.3% (2016) dhe 1.5% (2017), ndërsa në mandat tëndin inflacioni këto tri vite ka kalu 23%, dmth. çdo pagë është zhvlerësu me së paku 23%.”
“Pyeti pensionistët qysh ndihen sot. 100 eurot që ju ke dhënë njëherë gjatë vitit 2023 ju kanë përmirësu jetën atyre që i kanë marrë një javë, vetëm një javë, hiç ma shumë. Po të punoje e të dije, sot pensionet të ishin më të larta se paku për 23%, aq sa ka inflacion.”
Bajrami e ka pyetur se çka ka ndodhur me disa prej premtimet që i ka dhënë qeveria Kurti: “Çka ndodhi me 160 çerdhe? 4000 banesa për qifte të reja? Shportë të konsumit me të lirë? Energji me të lirë?
“E kujt është kjo propagandë?”