Nuk janë të rralla incidentet si pasojë e mosmarrëveshjeve që ndodhin në bizneset që merren me dhënien e veturave me qira. Shpesh palët nuk arrijnë të lidhin marrëveshje, automjetet nuk kthehen në kohë, shiten apo ‘zhduken’, çka i fut ata në sherr me klientët,
Sinjali ka mësuar se një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në kompaninë ‘Rent a Car Galaktika’ në Prizren, ku dy persona janë therur me thikë, njëri prej të cilëve punëtor.
Sipas informacioneve të para, përleshja ka nisur si pasojë e një konflikti për qiradhënien e një veture, që eskaloi më pas në përdorimin e mjetit të mprehtë nga i dyshuari.
Ky i fundit, i cili ndodhet akoma në arrati dyshohet se ka goditur viktimat, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe më pas ka ikur.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se punëtori i kompanisë dhe miku i tij janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor për shkak të plagëve serioze, teksa Policia është vënë në ndjekje të personave të dyshuar.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit dhe ndërmarrjen e veprimeve për t’i identifikuar dhe arrestuar të dyshuarit e përfshirë në rast.