The Guardian çon në qiell Kosovën: Vendi më i ri i Evropës me ndikim të madh muzikor

Nga festivali “Sunny Hill” dhe ndikimet kulturore e ekonomike të tij e deri te estrada shqiptare, jeta e natës dhe karakteristikat muzikore janë krejt për çka ka shkruar “The Guardian” në artikullin e tij për Kosovën.

“Pas traumës së luftës, vendi më i ri i Evropës ka zhvilluar një ndikim të jashtëzakonshëm muzikor që mbushi festivalin Sunny Hill të këtij viti në Prishtinë. Çfarë e nxit suksesin e saj pop?”, e nis artikullin media britanike.

Për ngjarjen katërditore të organizuar nga Dua Lipa dhe Sunny Hill Foundation, ata kanë vlerësuar faktin që publiku përbëhet nga të rinjtë, madje edhe ata ndër 18 vjeç. “Jeta e natës këtu është e çmendur. Ne e duam atmosferën dhe energjinë”, citon “The Guardian” dy 17 vjeçaret, Vesën dhe Urtën.

Sipas Dukagjin Lipës, ndikimi ekonomik i festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë është rreth 20 milionë euro në një javë. Shumë hotele në qytet rezervohen gjatë kohës së festivalit. Por me çmimin e biletave 200 euro për person – pak më pak se gjysma e pagës mesatare mujore të kosovarëve – festivali është i paarritshëm për shumë vendas. Rreth 45% e atyre që morën pjesë në festival këtë vit udhëtuan nga jashtë.

Aktivitetet e kufizuara si arsye për energji krijuese në muzikë

“Me aktivitete të kufizuara rekreative në dispozicion, të rinjtë e kanë kanalizuar energjinë e tyre në muzikë dhe art”, shpjegon Gent Osmani, pronar i një kompanie që realizon videoklipe muzikore.

Njëra prej tyre, Dhurata Dora, ka më shumë se 860 milionë shikime në YouTube me hitin e saj të parë “Zemër”, një bashkëpunim i vitit 2019 me reperin algjerian Soolking, i cili është listuar në Belgjikë, Zvicër dhe Francë. Bashkëpunimi i Dorës në vitin 2021 me këngëtaren kongo-franceze GIMS, “Only You”, u certifikua me çmim të artë në Francë dhe të bronztë në Zvicër. Ndërkaq performanca e saj me Yll Limanin ishte padyshim performanca e spikatur në gjuhën shqipe në Sunny Hill këtë vit.

Duke kënduar tekste të përqendruara kryesisht te dashuria dhe tradhtia, yjet e estradës kosovare shpesh bashkëpunojnë me artistë nga Shqipëria apo diaspora, duke krijuar video të rregullta në YouTube të mbushura me pamje verore nga ajri dhe fustane me ngjyra të ndezura. Instrumentet tradicionale ballkanike shfaqen shpesh, si gajde prej druri dhe lëkure deleje, tingulli i gumëzhitjes së së cilës përdoret për efekt hipnotik në DJ Gimi-O, Ricky Rich dhe Habibi të Dardanit.

Në një nga klubet më të njohura të natës në Prishtinë, festa zhvillohet deri në orët e vona të natës. Ndërsa dyert hapen në orën 11:30, interpretuesi i parë nuk është planifikuar të arrijë deri në orën 2 të mëngjesit.

Ajo çka i pëlqen një protagoniste tjetër të artikullit nga “The Guardian” me emrin Agnesa është qasja e lehtë te yjet e estradës.

“Jam vërtet krenare për të gjithë yjet e estradës nga Kosova. Për shkak se Prishtina është e vogël, shpesh i shihni në zona VIP të klubeve ose duke ecur në qendër të qytetit. Skena është shumë e qasshme. Unë jam rritur me muzikën këtu dhe më pëlqeu shumë, mendoj se çdo shqiptar mund të lidhet me atë ndjenjë”, ka thënë ajo, e cila i përket diasporës në Gjermani.

Popullata e Kosovës mund të ishin interes për hip-hopin amerikan

Skenat dalluese pop dhe rock të Kosovës datojnë në kohën kur ishte ende pjesë e Jugosllavisë. Në atë kohë, “shqiptarët e Kosovës kishin shumë më tepër liri, lëvizshmëri dhe qasje në botën e jashtme sesa shqiptarët nga Shqipëria”, thotë Robert A Saunders, një akademik amerikan që hulumton identitetin në vendet post-sovjetike.

“Sigurisht për një gjeneratë që lindi në dhunë, që u rrit nga prindër që kishin kaluar luftën, kosovarët ndjejnë ndikimin ndër breza të të qenit një pakicë e keqtrajtuar. Nëse shikoni hip-hop-in amerikan dhe temat e asaj muzike do të goditeshin vërtet me një popullatë shqiptare të Kosovës”, ka thënë Saunders.

The Guardian / përktheu RTK