Thashethemet, sharjet…: Këto janë disa nga veprimet që e prishin agjërimin

Në muajin e madhërishëm të Ramazanit, besimtarët myslimanë agjërojnë që nga lindja e diellit e deri në perëndim. Përveç ushqimit, besimtarët duhet agjëruar edhe me mendje e shpirt.

Kështu thotë teologu Fitim Flugaj, i cili në një intervistë për Telegrafin ka përmendura disa nga veprimet që prishin agjërimin.

Ai tha besimtari duhet të jetë shumë i përmbajtur gjatë agjërimit.

“Besimtari fillon agjërimin që nga momenti kur ai zgjohet në syfyr dhe i dërguari na thotë se ‘begatia ose bekimet e mëdha janë në syfyr’. Së paku duhet të pi ujë në momentin e syfyrit. Që nga momenti i syfyrit, besimtari duhet të jetë shumë i përmbajtur, nuk është këtu qëllimi i vetëm pra në amnistimin nga ushqimet, dhe nga raportet intime mes bashkëshorteve, por këtu qëllimi është që besimtari dhe besimtarja të jenë shumë të kujdesshëm në sjelljet e tyre.

Pra, se si sillen me të tjerët, si sillen me rrethin familjar, me shoqërinë ku jetojnë, si flasin. E gjithë qenia besimtare duhet të jetë e aktivizume në agjërim”, tha ai.

Tutje, ai shtoi se duhet agjëruar me gojë, sy, me vesh dhe gjithë gjymtyrët tjera të trupit.

Gjithashtu, një agjërues duhet larguar edhe nga thashethemet, sharjet e çdo gjë tjetër negative.

“Që nga koha e syfyrit deri në kohën e iftarit, duke amnistuar nga pija, nga ushqimi dhe nga të gjitha, mirëpo edhe nga thashethemet, nga sharjet, nga çdo gjë që e dëmton agjërimit. Qëllimi i agjërimit është disiplinimi i besimtarit nivelin më të lartë të mundur”, tha mes tjerash Flugaj.

Kurse, sa i përket marrëdhënieve intime, teologu ritheksoi se çiftet bashkëshortore mund të kenë kontakt fizik vetëm pas iftarit e deri në kohën e syfyrit.

“Bashkëshortët kanë të drejtë vetëm pas iftarit, do të thotë deri në syfyr”, deklaroi ai.

Në qoftë se një agjërues prish një ditë të agjërimit, duke kryer marrëdhënie seksuale, ai duhet të agjërojë edhe 60 ditë tjera.

Të liruar nga agjërimi, teologu thotë se janë personat me sëmundje kronike dhe personat që udhëtojnë, derisa ta përfundojnë udhëtimin.

“Ata të cilët janë të sëmurë, dhe ata të cilët janë në udhëtim, derisa të kthehen nga udhëtimi ose derisa të përfundojë udhëtimin ose derisa sëmundja të shërohet. Mirëpo kemi të bëjmë me sëmundjet kronike, të cilat janë të pashërueshme ata janë të liruar”, sqaroi ai.

Teologu Flugaj po ashtu bëri të ditur se ata që nuk mund të agjërojnë, duhet të ushqejnë një të person skamnor gjatë muajit të Ramazanit.

Ndërsa, për gratë shtatzëna, lehona dhe nëna gjidhënëse, teologu thekson se këto kategori janë vetëm përkohësisht të liruara, dhe se duhet zëvendësuar ditët e humbur të Ramazanit.

Në fund të intervistës, teologu porosit besimtarët t’i përkushtohen agjërimit, pasi kanë rastin që ta fitojnë atë që kërkohet nga çdo besimtar, dhe ajo është të jetë i falur nga mëkatet.