Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ishte bashkuar në koalicionin që drejtonte Ali Ahmeti, ka folur për përfshirjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut dhe përkrahjen që Kurti ia ka dhënë koalicionit VLEN të Arben Taravarit.
Thaçi ka thënë se ndjehet keq për fiaskon që ka pësuar ndërhyrja e Kurtit në Maqedoni të Veriut dhe thotë se i vjen tepër keq.
Ai tutje ka thënë se në zgjedhje u vërtetua mungesa e autoritetit moral të Albin Kurtit në Maqedoni të Veriut dhe se një gjë e tillë do të ketë pasoja.
“Mund të ma interpretojnë si sarkazmë. Ndjehem keq për fiaskon që pësoi ndërhyrja e Kurtit në zgjedhjet në Maqedoni. Nëse dikush do të priste që unë të ndjehesha mirë, të qitsha qallam se ne e kemi mundë, por s’është ashtu. Pe ndjehem keq. Kur e vërteton mungesën e autoritetit moral i pari jonë në Kosovë në një vend siç është Maqedonia, kjo do të ketë pasoja. Do të mundohemi bashkë që t’i largojmë këto pasoja. Nuk do të flasë më”, ka thënë Thaçi në “LIBERO”.