Kosova ka kaluar me sukses hapin e parë në rrugën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke marrë rekomandimin që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.
Siç ka njoftuar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, hapi tjetër do të jetë një debat plenar që pritet të mbahet deri më 18 prill dhe pastaj një votim nga e gjithë Asambleja për Opinionin statutor.
Pas këtij votimi në Strasburg, çështja procedon në Asamblenë Parlamentare më 18 prill dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj.
Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi i saj kundërshtohet nga Serbia.
Anëtarësimi i Prishtinës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.
Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.
Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë – bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut.