Disa nga veturat e njësisë paramilitare që kreu akt terrorist por që u mposht po atë ditë më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, përveç se kishin stikersa të KFOR-it si formë e maskimit dhe lëvizjes së lirë, atyre u gjetën edhe “uniforma të KFOR-it italian”, ka thënë Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një intervistë për televizionin “Syri TV”.
Sveçla e dha për skenar të zbuluar tashmë se njësiti paramilitar i udhëhequr nga Milan Radojiçiqi “ishin të gatshëm të maskoheshin si pjesëtarë të KFOR-it” dhe “të ekzekutonin pjesëtarë të policisë kosovare”.
Sveçla edhe në një intervistë ditë më parë për CNN News 18 pati njoftuar se në mesin e armëve dhe gjësendeve të konfiskuara të terroristëve, ishin gjetur edhe uniforma me flamujë të shteteve perëndimore dhe se autoritetet kosovare kishin njoftuar ambasadat e shteteve përkatëse.
Por, kësaj here, shpaloi se uniformat – nuk dihet nëse autentike apo të fabrikuara – ishin italiane. Ndërkaq në lidhje me këto pretendime, nuk ka pasur një reagim të KFOR-it, as atij italian apo ambasadës italiane në Prishtinë.
Krejt ky maskim, sipas Svçelës, për synim të tensionimit të gjendjes “deri në atë pikë sa që nuk do të dihej me se kush ndaj kujt po shtinte (me armë)”.
Por, edhe numri i uniformave të tjera të gjetura, ministri thotë se synohej që t’u shpërndaheshin pjesëtarëve të tjerë që do të mund të rekrutonin në veri të Kosovë, dhe që për synim do të kishte edhe “krijimin e një koridori mes Serbisë dhe dy komunave: Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan”.
“Tash kemi shum informata që zbardhin skenarin e Serbisë më 24 shtator”, tha ministri, teksa shtoi edhe se armët e kapura ishin kryekëput serbe; duke qenë se ato “ishin ushtarake” dhe që “nuk gjenden as në tregje zyrtare e as të zeza”.
Sveçla nuk e mohon se mund të provohen “inkursione” tjera por se thotë që ky i fundit “ushkoi jashtëzakonisht keq”.
“Kemi shpresë që ata janë dëmtuar aq shumë sa për të mos e provuar prap”.
Ministri i Brendshëm, duke folur për vijën e gjatë kufitare me Serbinë tha se kontrollimi i tij është “jashtëzakonisht i vështirë” dhe në veçanti për atë se sipas Marrëveshjes së Kumanovës, Policia e Kosovës nuk mund t’i afrohet më shumë se një kilometër.
“Është përgjegjësi e KFOR-it”, tha ai, ndërsa tha edhe se “terreni është i vështirë, me male të larta e vegjetacion” ku “u mundësohet kriminelëve që të kalojnë me lehtësi”.
“Rritja e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it përgjatë kufirit do të ishte e mirëseardhur”, tha ai.
Sipas ministrit Sveçla, krejt skenari i paramilitarëve të udhehequr nga Radojiçiqi – që ka pranuar përgjegjësinë e organizimit të të gjithë aktit terrorist – ishte “aneksimi total i veriut” dhe që këto sulme do të kryheshin nga “37 lokacione”.
Në pamjet nga dronët e konfiskuar prej paramilitarëve – Sveçla thotë se ata kanë kryer stërvitje në një poligon ushtarak në Serbi të ushtrisë serbe – dhe se në këto trajnime kanë qenë “të angazhuar direkt” Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq si dhe Shefi i Armatës së Serbisë, Milan Mojsilloviq./Nacionale