Ngrohtorja e qytetit të Prishtinës “Termokos”, i ka bërë të gjitha përgatitjet e fundit për fillimin e sezonit të ngrohjes. Krahas kësaj, është arritur edhe marrëveshje me Korporatën Energjetike të Kosovës për furnizim me ngrohje për sezonin dimëror 2023-24.
Këtë e ka bërë të ditur kryeshefi ekzekutiv i “Termokosit”, Fisnik Osmani. Ai për Ekonomia Online ka shprehur bindjen se ky sezon do të jetë i suksesshëm me furnizim.
Ndonëse e pranon se ka pasur sfida pasi “Termokosi” ka bërë shtrirjen në shumë pjesë të Kryeqytetit, Osmani ka deklaruar janë mbushur me ujë sistemi i ngrohjes.
“Ne i kemi bërë përgatitjet e nevojshëm që të fillojmë sezonin sipas ligjit, me datën e caktuar më 15 tetor. Kështu që ekipet tona i kanë përfunduar përgatitjen më të madhe, kemi filluar me mbushjen e ujit primar në sistemin e ngrohjes, po vërehet që do të jemi mirë e do të jemi gati për sezonin e ardhshme edhe jemi të bindur se përkundër sfidave që i kemi për shkak të zgjerimit ë rrjetit në qytet, do të kemi padyshim një sezon të suksesshëm me furnizim të mjaftueshëm edhe cilësor për qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Osmani, teksa foli edhe për marrëveshjen që kanë nënshkruar me KEK-un.
“Po është një marrëveshje që ne bëjmë vit pas viti rinovimin e marrëveshjes me Korporatën Energjetike të Kosovës. Marrëveshja nënkupton që edhe për këtë vit kemi siguri për furnizim me avull, respektivisht energji termike. Siç e dimë, sistemi i ngrohjes në Prishtinë varet kryekëput prej programit të kogjeneremit”, u shpreh Osmani.
E me fillimin e sezonit të ngrohjes, risi do të jetë edhe faza testuese për metodën e re të faturimit sipas konsumit. Osmani ka thënë se edhe këtë vit metoda e faturimit do të jetë sipas sipërfaqes ngrohëse.
“Ne fillojmë me matjen prej datës 15 tetor në 13500 njësi të banimit e të cilat i kemi instaluar gjatë kësaj periudhe. Ne do t’i marrim të dhënat në softuerin tonë i cili është gati, jemi në koordinim me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë dhe kemi vendosur në bashkëpunim me rekomandimet e ekspertëve të konsulencës ndërkombëtare për projektin që t’i evitojmë gabimet e mundshme, meqë është për herë të parë një gjë e tillë dhe potencialisht do të mund t’i ngarkonim qytetarët me fatura joreale, diku më tepër e diku më pak. Po e bëjmë testimin këtë sezon, pra ne i bëjmë faturat, mirëpo ato janë për nevojat tona dhe të ZRrE, për shkak të analizave, në mënyrë që vitin e ardhshëm të kemi fatura reale për matje”, u shpreh Osmani.