Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim që ta dërgojë në Qeveri për mendim projektligjin për plotësim/ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, që mundëson tërheqjen deri në 30 për qind nga Trusti, bazuar në peticionin e nënshkruar nga mbi 20 mijë qytetarë.
Kryesia e Kuvendit ka vendosur ta dërgojë në Qeveri për mendim projektligjin për plotësim/ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, që mundëson tërheqjen deri në 30 për qind nga Trusti.
Në mbledhjen e së enjtes është vendosur që të dërgohet në Qeveri për mendim edhe projektligji për pensionet e zyrtarëve policorë.
“Kryesia ka proceduar edhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin nr. 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116””, thuhet në njoftim.
Në mbledhjen e së enjtes është vendosur që të dërgohet në Qeveri për mendim edhe Projektligji për Pensionet e Zyrtarëve Policor të Policisë së Kosovës dhe Punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore.
Kuvendi në qershor i pati thënë jo tërheqjes nga Trusti. Menjëherë pati nisur një peticion. Më 15 korrik peticioni me 21 mijë nënshkrime u dorëzua në Kuvend. Nuk qe treguar se kur do të nisë shqyrtimi i tij.
Qeveria atë kohë pati dalë kundër idesë për tërheqjen nga Trusti.
Tërheqja deri në 30 për qind e mjeteve nga Trusti u rikthyer si temë në Kuvendin e Kosovës, javën e kaluar, pak muaj pasi Kuvendi refuzoi iniciativën e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.
Ka qenë kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, që të enjten e shkuar, në seancën e parë të sesionit vjeshtor të Kuvendit, e ka përmendur tërheqjen nga Trusti si një nga pesë masat që i propozon PDK-ja për dalje nga kriza ekonomike.
Pos kësaj, ai ka thënë se për t’u ndihmuar qytetarët që të përballojnë inflacionin duhet të ketë lirim nga TVSH-ja të produkteve esenciale, lirim të akcizës në produktet e naftës, heqje të TVSH-së nga faturat e energjisë elektrike, subvencionim të faturave të rrymës dhe rritje pagash deri në nivelin e normës së inflacionit.
Ndryshe, deputeti Bekim Haxhiu në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, më 9 mars pati dorëzuar në Kuvend, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.
Kujtojmë se një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në fund të vitit 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19. Në raportin e gjashtëmujorit të parë të 2021-së, Trusti kishte njoftuar janë tërhequr rreth 200 milionë euro nga më shumë se 427 mijë kontribuues.
Deputetë nga opozita janë pro lejimit të një tërheqje të re nga Trusti, por pushteti këmbëngul se një gjë e tillë do ta dëmtonte ekonominë e Kosovës.
Qeveria tash duhet të kthejë një përgjigje brenda 30 ditësh dhe Kuvendi do të vazhdojë tutje me këtë Ligj.