Ambasada gjermane ka lëshuar një reagim në lidhje me skandalin e Visametric dhe 30 eurove që kjo kompani po i detyronte qytetarët t’i paguajnë për postë në rastin e kthimit të pasaportës.
Në një komunikatë për media, ambasada ka thënë gjithashtu se është në dijeni edhe për arrestimin e drejtorit të VisaMetric.
Ambasada thotë se ata të cilët që nga 17 maji e tutje kanë paguar 30 euro, do të rimbursohen.
“Pasditën e datës 16 maj 2023, ambasada për herë të parë mësoi për vendimin e Gjykatës Komerciale kundër VisaMetric, në të njëjtën ditë, kur VisaMetric përmes avokatit të saj edhe pranoi vendimin e shkallës së dytë. VisaMetric, menjëherë pasi mësoi për aktgjykimin, në konsultim me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Berlin dhe Ambasadën Gjermane në Prishtinë, filloi zbatimin e tij. Pas kësaj, dhe që nga dita e nesërme, të gjithë aplikantëve u është dhënë mundësia që në momentin e parashtrimit të kërkesës të zgjedhin mes tërheqjes personale dhe kthimit të pasaportës përmes shërbimit postar me kosto shtesë, si në procedurën e deritashme. Personat të cilët nga data 17 maj vendosin për tërheqje personale të pasaportës, ndërsa gjatë caktimit të terminit kanë paguar shërbimin postar për kthimin e pasaportës, do të rimbursohen. Që nga data 17 maj 2023, opsioni për kthimin e pasaportës me postë nuk është më i detyrueshëm, kur caktoni terminin në mënyrë elektronike. Njoftimin për këtë, VisaMetric e publikoi në mbrëmjen e datës 16 maj në faqën e saj të internetit”, tha ambasada.
Gjithashtu, ambasada ka mohuar kategorikisht lidhjet që po i bëhen Visametric-ut me Rusinë.