Telegrafi: Gjenden një pjesë e mostrave të Astrit Deharit

Një pjesë e mostrave të Astrit Deharit, janë gjetur brenda Instituti për Mjekësi Ligjore.

Telegrafi mëson se mostrat ishin zhvendosur nga laboratori i toksikologjisë, në një frigorifer tjetër brenda IML-së.

Duke iu referuar burimit, mostrat e gjetura janë të lukthit dhe të urinës, ndërsa mungojnë mostrat e gjakut.

“Komisioni për inventarizim i ka gjetur në një frigorifer që nuk është i mbulum prej kamerave të sigurisë”.

“Hetuesit e policisë janë duke punuar me kapacitete të plota për të zbuluar se si kanë përfunduar nëat frigorifer gjysma e mostrave të Deharit”, bën të ditur një burim i Telegrafit.

Lidhur me rastin, mediumi ka kontaktuar MD-në, por të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje…

Më 8 dhjetor 2022 Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se janë zhdukur provat për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Ministria e Drejtësisë më pas njoftoi se ka pezulluar nga puna katër zyrtarë të IML-së në lidhje me rastin.

Komisioni disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore kishte marrë vendim për pezullim nga puna të zyrtarëve: Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Goga, udhëheqëse e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore. Anila Lakna, teknike e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, dhe Ilirjana Shala, kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore.

Pas suspendimit të tyre nga puna, të njëjtit janë rikthyer sërish në IML. Ditor Haliti, zv.drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, tha se katër punëtorët e suspenduar me vendim të komisionit disiplinor me 8 dhjetor të vitit 2022, janë rikthyer në punë.

Nëna e të ndjerit Astrit Dehari, Xhemilja kishte folur për humbjen e mostrave të gjakut nga laboratorët e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Ajo kishte deklaruasr se gjaku i Astritit ka qenë i përdorshëm pasi është marrë nga institute zviceran, por sipas saj ka qenë tronditëse humbja e gjakut nga IML.

“Këtë vit u dha lajmi se paskan humbur mostrat e gjakut. Unë them është vjedhur gjaku. Për mua personalisht kjo ka qenë vdekja e dytë për Astritin. Unë nuk e di si mund të konsiderohet ndryshe pos vdekje kur dikujt i vidhet gjaku”.