Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka treguar se gjithçka po shkon në rregull gjatë procesit të votimit në komunën e Bujanocit.
Kamberi ka theksuar se dy ditët e fundit ka pasur telefonata me numra të panjohur në gjuhën serbe, ku kërkohej për të votuar një listë të tyre. Ai dyshon se pas këtyre telefonatave qëndrojnë përfaqësues të organeve shtetërore. Kamberi shpreson që populli mos të bjerë pre atyre ndikimeve.
“Informacionet që kam deri tani, procesi po shkon në rregull, janë hapur vendvotimet, nuk është hasur asnjë problem dhe pres që gjatë gjithë ditës kështu të shkoj. Sa i përket ndërhyrjeve në proces zgjedhor, Serbia është një vend i cili tashmë është karakterizuar dhe është legjitimuar në një formë edhe me një rezolutë të parlamentit evropian nga një vend në të cilin ndërhyrjet në zgjedhje janë të shpeshta. Kemi pasur dy ditët e fundit ndërhyrje telefonike në formë të këshillave, sugjerimeve, të votojmë për një listë këtu dhe këshillat vijnë në gjuhën serbe nga telefonata me numër të panjohur. Dyshimi jonë është se janë këta përfaqësues të organeve shtetërore që mundohen të ndërhyjnë në procesin zgjedhor, por besoj popullata jonë nuk do të bie pre e atyre ndikimeve… Është me rëndësi për Bujanoc që të gjithë shqiptarët në çdo vendbanim t’i përgjigjen ftesës për zgjedhje të votojnë për kandidatët e vet dhe në një formë ta verifikojmë atë që dy vite më parë -përcaktuam regjistrimin e popullsisë, që shqiptarët janë shumicë në këtë komunë dhe besoj se do të ketë një shumicë të re të ndërtuar prej partive politike shqiptare”, ka thënë Kamberi.