Tejkalimi i rrezikshëm i mërgimtarit në Prizren, policia e gjen dhe dënon shoferin në Malishevë – u njoftua edhe Zvicra

Pas publikimit të një videoje në Reporteri.net, ku një vozitës me targa zvicerane bënte tejkalim të rrezikshëm në Landovicë të Prizrenit, Policia e Kosovës e ka gjetur dhe gjobitur atë.

Ndaj mërgimtarit nga Malisheva, Policia ka shqiptuar gjobë 200 euro dhe masë ndaluese për tre (3) muaj për kundërvajtjen “tejkalim në zonën e ndaluar”.

Sipas një komunikate të Policisë, për këtë masë ndaluese do të njoftohet edhe shteti zviceran.

“Referuar një video të publikuar në rrjete sociale më datë 10.08.2025, ku shihet një veturë Mercedes , ngjyrë e bardhë duke kryer tejkalim të rrezikshëm në vijë të plotë në rrugën magjistrale Prizren–Gjakovë (në Landovicë), patrulla policore e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren, në bashkëpunim me Stacionin Policor të Malishevës, ka identifikuar kundërvajtësin nga rrethina e Malishevës. Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 200 euro dhe masë ndaluese për tre (3) muaj për kundërvajtjen “tejkalim në zonën e ndaluar”. Lidhur me këtë masë ndaluese, përmes mekanizmit ILECU do të njoftohet edhe shteti i Zvicrës.”, ka njoftuar Policia.