Zgjedhjet s’janë veç zgjidhje. Përbëjnë dhe emocion. Herë-herë edhe sadistik. Kënaqesh duke e parë tjetrin teksa lëndohet politikisht. Por, të pasurit mundësi zgjedhjeje është atribut pasuror. Dhe hiç s’është me rëndësi nëse zgjedh politikanin e preferuar, verën që e shijon më së shumti, nëse je #TeamLuiz a #TeamOlta, tenistin që dëshiron ta fitojë finalen e Uimbëlldonit apo marketin e furnizimit. Parësorja është se “të zgjedhjeve jemi dhe tek ato do të kthehemi”. Lavdi Zotit!
Shkruan: Muharrem Kafexhiu
Duhet përmendur me patjetër një fakt vështirë të kundërshtueshëm e pak të pohueshëm: S’e di nëse ka shtet tjetër sikurse Kosova që në vetëm 25 vjet ka shënuar aq hapa të mëdhenj demokratikë para. E thënë kjo duke marrë për mostër ato që shohim shpeshherë në zgjedhjet simotra të cilat mbahen në rajon, por dhe jo vetëm. Jemi dëshmitarë edhe të anulimit të tyre në Rumani. Vend i BE-së. Paramendoni! A ne duhet të vetëkënaqemi nëse pikërisht vëzhguesit e Bashkimit Evropian do ta ngrisin “flamurin e gjelbër” pas procesit zgjedhor të djeshëm, anise dorën në zemër ata kanë kërkuar edhe ndërrim të qetë pushteti në Veri, gjë që as nuk pritet të diskutohet. Fatmirësisht.
Tash, a janë rezultatet të rëndësishme. Për mua pak. Pse? Shumica vendosë. Vota është vlerë sublime e demokracisë dhe ai që ia del t’i bindë më shumë se gjysmën e popullit se e ka mirë, ashtu qoftë, pavarësisht asaj tezës së mirënjohur zgjedhore të Orhan Pamuk: “Populli nuk zgjedh atë që është më i dobishëm për vendin, por atë që është më i zoti t’u hedhë pluhur syve”. Nëse 50 për qind plus një qytetar/e vendosin për një që është më i zoti t’u hedhë pluhur syve, ashtu u bëftë. U kryeftë. Kohë kemi. Mundësi të tjera do të jenë. Fundja, “të zgjedhjeve jemi dhe tek ato do të kthehemi”. Lavdi Zotit!
Lokalet 2025 – Kush fitoi?
Struktura demografike në Kosovë ka krijuar ndarje të mbështetjes politike që nga paslufta. Arsye me siguri se ka shumë. Por, ashtu kanë zgjedhur njerëzit. Fatmirësisht. Drenica me PDK, Llapi me LDK, Dukagjini me AAK e Anamorava “hëm-hëm”. Gjithsesi, pushtetet në rajonet gjegjëse kanë pësuar ndryshime me kohën, ama vetëm dy ia kanë dalë të jenë tamam bastione. Deçani me Aleancën dhe Istogu me Lidhjen Demokratike. Të dyja të lidhur me vendlindjen e liderit. Haradinaj, përkatësisht Rugova. Kjo u pa edhe më 2025. Si AAK-ja, ashtu edhe LDK-ja fituan në këto dy komuna në rundin e parë, duke mos e diskutuar fitoren.
Por, kush në të vërtetë triumfoi? Thjesht, VV-ja. Çdo analizë tjetër vetëm sa ia bën qejfin opozitës, e besa edhe e dëmton atë. Albin Kurti dhe Lëvizja që drejton po rrit sundin e vet. Të rriturit në nivel lokal do të thotë garanci nacionale. Gjithsesi, jo domosdoshmërit, të paktën për VV-në, për të cilën parti të qëndruarit në pushtet do të thotë humbje poenësh. Tekefundit, e logjikshme politikisht. Kur të shohin tepër në televizor, njerëzit janë më shumë të prirur të të largojnë sesa të të mbajnë më gjatë. Zgjedhje e tyre. Fatmirësisht.
Kjo është hera e katërt që Lëvizja Vetëvendosje merr pjesë në zgjedhje lokale. Kësaj radhe i mori shtatë komuna, tri sosh më tepër se sa që i kishte katër vite më parë. Ajo s’arriti të depërtojë vetëm në Dukagjin, atje ku s’mori asnjë komunë, ani se në njërën ishte tejet afër. S’është larg mendjes që edhe ta marrë pas katër vitesh. Këtu mund të kontribuojë edhe një stërkonsumim i AAK-së.
Është interesant elektorati i kësaj të fundit se si variron në zgjedhje nacionale dhe ato lokale. Po e zëmë, Aleanca mori mbi 85 mijë vota në Lokale, por sipas projeksioneve nuk do ta ketë as 2/3-ën në ato nacionalet, kurdo që mbahen. Në anën tjetër, duhet duartrokitur për mënyrën se si ia dalin të arkëtojnë komuna. Pak si ajo loja “eci peci pec”, por t’i fitosh pesë komuna s’është aspak e lehtë. Sidomos nëse bazohemi te përqindja në nivel kombëtar, rreth 7 (bashkë me Nismën).
PLDK
Partia Demokratike vazhdoi me Ferizajin industrial e rikonfirmoi “Jerusalemin e vet”, Prizrenin. Fitoi Vushtrrinë, por humbi Mitrovicën e Jugut. Doli e treta në Prishtinë ku theu rekorde personale në përqindje. S’dihet nëse e ndihmoi shumë Përparim Ramën, por ajo që dihet është se cilëso parti do t’i duhet PDK-ja për ta dominuar Kuvendin Komunal të kryeqytit, kryeqytet ky që do të vijojë me kreun e njëjtë edhe për katër vite. Kryetar ky që as nuk është i anëtarësuar* në LDK, edhe pse për kah prizmi personal, mund të jetë emërues i përbashkët i të pakënaqurve në Lidhjen Demokratike për ta hequr Lumir Abdixhikun nga kolltuku i të parit të grupacionit më të vjetër politik në vend.
E këtu rëndësi mund të ketë rezultati në zgjedhjet që pritet të mbahen në dhjetor, zgjedhje këto që pritet ta zgjidhin çështjen e presidentit. Nejse…Zgjedhjet s’janë veç zgjidhje. Përbëjnë dhe emocion. Herë-herë edhe sadistik. Kënaqesh duke e parë tjetrin teksa lëndohet politikisht. Por, të pasurit mundësi zgjedhjeje është atribut pasuror. Dhe hiç s’është me rëndësi nëse zgjedh politikanin e preferuar, verën që e shijon më së shumti, nëse je #TeamLuiz a #TeamOlta, tenistin që dëshiron ta fitojë finalen e Uimbëlldonit apo marketin e furnizimit. Parësorja është se “të zgjedhjeve jemi dhe tek ato do të kthehemi”. Lavdi Zotit!

