Kryeministri Albin Kurti nga mbledhja e sotme e Qeverisë së Kosovës i ka ftuar qytetarët që “t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë”.
Kurti tha se shteti ka edhe shpërputhje të të dhënave, por edhe mungesë të tyre, ndërsa përmendi se kësaj here, në regjistrimin e popullsisë do të maten edhe dëmet e luftës.
“Për herë të parë në këtë regjistrim të popullsisë është përfshirë pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-1999 në ekonomitë familjare. Qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara, si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur. Më saktësisht kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit të vitit 1998, pra Qirezi e Likoshani, deri më 12 qershor 1999, pra fillimi i tërheqjes së trupave të Serbisë nga Kosova sipas marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës”, tha Kurti.
Ai tha se rezultatet e regjistrimit të popullsisë do të sigurojnë edhe “një evidencë të së kaluarës”.
“Ky regjistrim që fillon të premten, më datë 5 prill, përveç që do të na japë një pasqyrë të së tashmes, gjithashtu do të na e sigurojë edhe një evidencë të së kaluarës, që të mos kemi të dhëna të ndryshme për faktet e njëjta, dhe gjithashtu të mos kemi mungesë të të dhënave për ato që i dimë, sepse i kemi jetuar, përjetuar dhe familjarët vazhdojnë t’i vuajnë më së shumti sot e kësaj dite”, tha Kurti.
Ai i ka ftuar qytetarët që në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë të dërgojnë sa më shumë dëshmi dhe i ka ftuar prokurorët që të punojnë me urgjencë në këtë drejtim.