Tahiri: Shteti po udhëhiqet me ushtrues detyre, kjo po zgjatë tash e tri vjet

Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se reforma e administratës dhe sundimi i ligjit janë dy kërkesat e BE-së, pa të cilat nuk hapet asnjë kapitull i negocimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Tahiri tha se në Raportin e fundit të BE-së thuhet se Ligji për Zyrtarët Pubik nuk i pasqyron zotimet e MSA-së që ka marrë Kosova.

“Me këtë qasje, Qeverisja aktuale, fshehurazi, por me tendencë të kontrollit të administratës shpërdorën shumicën, duke injoruar në tërësi debatin por edhe konsultimin me publikun. Përmes provizioneve ligjore, ishin dy synime: e para, të mbahej në kontroll të plotë administrata, apo në të kundërt spastrimet; dhe e dyta, shthurja e mekanizmit të pavarur mbikëqyrës për administratën publike. Madje, në mes shqyrtimit kushtetues, quan për votim dhe u dekretua plotësim/ndryshimi”, tha Tahiri, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, Tahiri bëri të ditur se në Konferencën e Institutit të GLPS-së, ka thënë se ekzistojnë disa shqetësime serioze e të menduarit të qeverisë, e nxjerrë në nromë, e kombinuar me veprime strukturore për kontroll partiak mbi administratën.

“Legjitimiteti – Ky është ligj që nuk ka legjitimitet, për shkak se shpirti i një procesi ligjor buron nga dialogu, konsultimi, në veçanti i palëve të prekura”.

“Shkelja e Kontratës me BE-në – Me MSA Kosova është zotuar të anëtarësohet në BE, pra për t’i zbatuar disa standarde. Është detyrim i Kosovës të respektojë Marrëveshjen e SAS, që buron nga dokumentet e SIGMA që përfaqëson BE-në”, shkroi ai.

Tahiri tutje shkroi se në dy rrafshe rrezikohet që niveli politik të “fus” nën disiplinë partiake administratën përmes mandatit të kufizuar, përveç atyre që janë aktualë dhe lëvizjeve brenda sistemit pa garanci

“Rekrutimi dhe kontratat e shërbimeve – Është krijuar katrahurë në procesin e administrimit të rekrutimit. Një proces i nisur nga parimi me pak “dorë” subjektivitet në proces “intervista” është kthyer në formalitet të plotë”.

“Në këtë qeveri është bërë normë pozita e ushtruesve të detyrës. Pozitat e larta, me ushtrues detyre janë kancer i administratës së shtetit. Tashmë, shteti udhëhiqet me ushtrues detyre: në presidencë, në kuvend e në kryeministri shërbimi civil udhëhiqet me ushtrues detyre. Kjo po zgjatë tash e tri vjet”, tha ai.