Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, duke thënë se vendimet e tij i kanë shkaktuar shumë dëme Kosovës.
Tahiri ka thënë se kronologjikisht, Kurti e ka tërhequr çdo vendim që e ka marrë.
“Kryeministri Kurti i ka sjellë shumë dëm Kosovës me këtë eksperiment. Eksperimenti nisë prej tabelave prej përshkallëzimit të gjobave, pastaj nuk ka vetura, dhe në një moment të caktuar ai lëshoj pe dhe ra ajo krejt. Pastaj ishte ajo hyrja e parë me Polici dhe zbrapsja, pastaj ishte krejt procesi i organizimit të zgjedhjeve. Tash po thotë duhet me pasë një peticion me shku në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kronologjia është që në çdo vendim që ky e ka marrë e ka hjekë”, ka thënë ai.
Tahiri ka shtruar pyetje se si është e mundur që draftin e statutit të Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë parë të gjitha ambasadat e në Kosovë, ndërsa opozita nuk ka pasur qasje në të.
“Me datën 26 do të thotë Albini, kryeministri i Kosovës ia dha një të shtymë Kosovës, për shkak se e qiti në një pozicion.. se ishte në një pozicion defanziv. Mirëpo unë nuk kuptoj sinqerisht mundohem me qenë racional, prej natyrës jam njeri i arsyeshëm, qysh ka mundësi me e marrë një draft me pa krejt ambasadat e Kosovës, krejt ambasadat e huaja me pasë atë draft. Qysh është e mundshme do me thënë me pasë njerëzit që ky i ka akuzu Lajçakun, Borrellin, qysh është e mundshme me thënë, e tha kolegja prej Vetëvendosjes tha e kena pa në Vetëvendosje. Dhe këtë dokument që është dokument zyrtarë, Arben Gashi e lypi me një kërkesë zyrtare, nuk e ka pa AAK-ja, as PDK-ja, as LDK-ja. Në kushte normale është dashtë me na ardhë një njeri prej zyrës së zv.kryeministrit Bislimi me thirrë Besnik Tahirin, Abelard Tahirin, Arben Gashin se nuk është e vërtetë që ne nuk folim. Ne folim si të dalim andej mbrapa krejt me deputetë. Pra a ka mundësi me u taku, mere lexoje me dy tre ekspertë na nuk dimë çka është ai”, ka thënë ai në tëvë1.
Kujtojmë se pa ndonjë përparim, Kosova dhe Serbia përmbyllën një maratonë takimesh të enjten e kaluar në Bruksel.
Sipas udhëheqësve të BE-së, arritjen e pajtimit e penguan kushtëzimet që paraqitën palët.
Siç deklaroi Borrell, pas takimeve në Bruksel, palët nuk arritën të pajtoheshin pasi tha se secila kishte parakushte që nuk i pranonte pala tjetër.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës pas takimeve ka konfirmuar, se kryeministri Albin Kurti, është shprehur i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, përfshirë edhe draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të prezantuar nga diplomatët-euroatlantikë javën e shkuar.
Megjithatë, sërish nuk ka pasur nënshkrime të palëve, pasi siç ka thënë Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media të enjten pas takimeve në Bruksel, një gjë e tillë është refuzuar nga Serbia.