Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri deklaroi se qasja aktuale e shumicës parlamentare është më e dobëta në historinë e parlamentarizimit.
Sipas tij, secili ligj i cili ka ardhur në kuvend ka qenë anti-kushtetues. Kështu u shpreh ai pas tryezës së diskutimit me përfaqësues nga ekonomia dhe me bizneset e sektorit privat. Tahiri shtoi se komunikimi i rregullt i qeverisë me sektorin privat nuk ekziston.
Pas tryezës së katërt së organizuar të AAK-së, shefi i deputetëve të kësaj partie, tha se këto takime i kanë mjet pune, ku të gjitha konkluzionet do të bëhen bashkë për të ndërtuar një platformë.
“Nuk mund ta gjesh një ligj i cili e ka zgjedhur një problem. Ligji për Pagën Minimale ka krijuar problem. Ligji për Pagat është ligji i zbritjes së pagave, ka krijuar problem. Kodi Civil nuk ka ardhur, ka krijuar problem mes tyre. Marrëveshjet ndërkombëtare nuk kanë kaluar. Ligjet për shëndetësi janë zero, ligjet për arsim janë zero. Secilin ligj që e kanë prekur, përveç disa marrëveshjeve ndërkombëtare, shumica e ligjeve janë ligje anti-kushtetuese. Këtë kuvend dhe qasjen e kësaj shumice e konsideroj si më të dobëtën ndonjëherë në historinë e parlamentarizmit”, deklaroi ai.
Pas takimit me sektorin privat, Tahiri tha se u diskutua edhe për burokracinë e madhe, për çka kanë dalë 10 konkluzione.
“Shihet që jo-stabiliteti politikë, perceptimi se në Kosovë është luftë, se ka një konflikt falë një qeverisje eksperimentale të zotëri Kurtit, ka bërë që edhe sektori ekonomik të afektohet drejtpërdrejt dhe në veçanti investimet e huaja. Mungesa e qëndrueshmërisë energjetike, mos-investimi në termo-elektrana dhe refuzimi i gazit amerikanë, tregon po ashtu për një problem shumë të madh që lidhet me energjinë. Pritet që viti që po vjen të ketë probleme serioze, duke ditur çmimin e lartë që tani në verë po e paguajnë për energjinë. Çështja e tretë lidhet me burokracinë e madhe, administratën e madhe dhe mos funksionalitetin e trekëndëshit, qeveri-ekonomi-sektor privat. Këtu u theksuan shumë probleme të mëdha që ndërlidhen edhe me pengesat e mëdha administrative por njëkohësisht edhe mos komunikimin e agjencive dhe sektorëve të cilët e ndihmojnë ekonominë”, shtoi Tahiri.
Në konferencë për media, Tahiri tha se ka investime kapitale të dobëta nga ana e shtetit.
“Çështja e pestë ka të bëjë me një sentiment anti-ekonomik, anti-sektor privat, anti-biznes. Pra nuk ka dialog, nuk flet qeveria me sektorin privat. Këshilli Ekonomik Social që ka përcaktuar që do të duhej përcaktonte pagën minimale, nuk është mbledhur kurrë. Komunikimi me oda është totalisht i pashmangshëm dhe komunikimi i rregullt i qeverisë me sektorin privat nuk ekziston. Një problem shumë i madh u shpërfaq edhe ndaj respektimit të kontratave nga punëdhënësit. Nuk marrin përgjigje, kontratat, çmimet rriten dhe shumicën e kohës shumë investitorë, shumë punëkryes punojnë me humbje”, shtoi Tahiri.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës përmendi edhe mungesën e kushteve për investime të huaja, përkundër siç tha ai, interesimit të diasporës.
“Çështja e shtatë lidhet me mungesën e kushteve për investime të huaja, në veçanti për diasporën. Realisht, de-funksionalizimi i plot i Agjencisë Kosovare për Investime që është pranë Ministrisë së Tregtisë. Aty u tha që ka shumë prej diasporës që kanë interesim, mirëpo nuk ka kushte për investime”, shtoi ai.
Tahiri foli edhe për rastin e “Klan Kosovës”, ku tha se kanë solidaritet të plot me këtë medium.
“Ajo çfarë po ndodhë me ata është një skandal në rrafshin tanimë ndërkombëtar. Sa më shpejt që këtë e kupton qeveria, aq më mirë do të jetë për Kosovën, e aq më mirë do të jetë për shoqërinë demokratike. Demokracia, fjala e lirë dhe mbi të gjitha mediat janë në një rrezik të paprecedent që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës”, Tahiri.
Në këtë takim, Tahiri shtoi se u përmend edhe çështja e stopimit të hekurudhës Kosovë-Shqipëri, e cila sipas tij, do të ndihmonte dhe mundësonte lidhjen me Portin e Durrësit.
Veç tjerash, deputeti Besnik Tahiri tha se do të vazhdojnë me ciklin e komunikimit me sektorin privat çdo muaj.