Të shtunën u arratis për të nëntën herë Faton Hajrizi, i cili nga viti 2000 është në burg për vrasjen e një ushtari rus dhe për vepra tjera penale. “Çështje orësh apo ditësh” tha Sveçla për Hajrizin, ndërsa ky i fundit postoi një video 13 minutëshe në “TikTok” ku tregoi për arsyet e arratisjes.
Të shtunën e 6 korrikut, pas mesnate, Faton Hajrizi është arratisur nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë. Policia e Kosovës po atë ditë lëshoi një njoftim duke kërkuar ndihmë për arrestimin e Hajrizit, që tashmë njihet për ikjet nga burgu.
Tashmë janë bërë publike edhe detajet e ikjes së tij. Ai shfrytëzoi çarçafët e shtratit, të cilët i lidhi në radiatorin e dhomës ku ai ishte i vendosur. Në këtë mënyrë, Hajrizi arriti që të largohet nga dhoma përmes dritares në katin e dytë dhe kështu ia doli të depërtojë në katin e parë. Nga aty, Hajrizi e kaloi rrethojën e jashtme të burgut dhe u arratis për të nëntën herë, ka raportuar Sinjali.