Në Veri janë konfiskuar sasi e madhe e armatimit që dyshohet se kanë mbetur nga sulmi i 24 shtatorit në Banjskë, ku vdiq rreshteri Afrim Bunjaku.
Pas konferencës për media, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkruar në Facebook se po zbulohen përmasat e krimit dhe kapacitetet e armatimit që kanë pasur grupet kriminale në veri.
“Në çdo ditë të punës sonë po zbulojmë përmasat e krimit dhe kapacitetet e armatimit që kanë pasur grupet kriminale në veri, të cilat kanë sulmuar apo kanë planifikuar të sulmojnë zyrtarët tanë dhe institucionet tona”.
Ai ka thënë se “mbetjet kriminale të Milan Radjçiqit po i çrrënjosim nga veriu i vendit tonë”.
Sveçla ka shkruar se është e qartë kush qëndron mbrapa kësaj veprimtarie, derisa ka shtuar se sulmuesit e Banjskës po strehohen në Serbi e mbrohen dhe glorifikohen nga Aleksandër Vuçiq.
“Është e qartë kush qëndron prapa kësaj veprimtarie si edhe pas depove të tjera të armatimit, sulmeve ndaj zyrtarëve tanë, pjesëtarëve të KFOR, gazetarëve e qytetarëve.
Të njëjtit e sulmit të Banjskës, të cilët strehohen në Serbi e mbrohen dhe glorifikohen nga Aleksandër Vuçiq”.