Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mori pjesë sot në Konferencën Ndërministrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor “Bashkëpunimi për Sigurinë dhe Flukset migratore përmes Ballkanit Perëndimor”, që është duke u mbajtur në Tiranë, në prag të Samitit të Berlinit.
Në njoftim thuhet se Sveçla theksoi se është i rëndësishëm fakti që ky takim po zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, pak para Samitit të Berlinit, si një nismë e krijuar bazuar në vlerat themelore të Bashkimit Evropian, atë të paqes, stabilitetit, demokracisë dhe bashkëpunimit.
Ai theksoi se pikërisht mbi këtë bazë, duhet të forcohet më tutje bashkëpunimi rajonal i shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetja nga shtetet e tjera partnere dhe strategjike.
“Dëshiroj që ky takim sot të na shërbejë si platformë reflektimi dhe zotimi mes nesh për të mbrojtur vlerat demokratike dhe evropiane, për të ndërtuar veprime dhe mekanizma konkret në luftën kundër krimeve ndërkufitare dhe lëvizjeve migratore si dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë në përgjithësi me shtetet e rajonit dhe më gjerë”, tha ministri në fjalën hyrëse në këtë Ministerial.
Sot edhe formalisht u zgjerua bashkëpunimi mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, si dhe Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, përmes nënshkrimit të deklaratës për angazhime të përbashkëta në luftimin e krimit dhe migracionit të paligjshëm.
“Ky bashkëpunim ndihmon edhe më shumë në zgjerimin e bashkëpunimit në nivel operacional midis agjencive tona të zbatimit të ligjit dhe angazhimet e përbashkëta do të ndihmojnë në shkatërrimin e grupeve kriminale që veprojnë jo vetëm në rajon por edhe më gjerë”, përmbylli rezymenë e tij në Ministerialin e Tiranës, ministri Sveçla.