Gjykata Supreme ia ka lënë në fuqi dënimin prej 15 vjet burgim ish-Komandantit të UÇK’së, Salih Mustafës, që Apeli ia kishte shqiptuar në shtator të vitit të kaluar.
Specialja ka njoftuar se Paneli i Gjykatës Supreme, i përbërë prej gjykatësve Ekaterina Trendafilova (Kryegjykatëse), Kristinë van den Vajngart, dhe Daniel Fransen, ka hedhur poshtë kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë që parashtruan Mustafa dhe ZPS-ja
“Ndër pika të tjera, Paneli konstatoi se Mustafa nuk identifikoi pse dënimi me 15 vjet burgim përbën shkelje të së drejtës penale. Në lidhje me kërkesën e ZPS-së, Paneli konstatoi se thjesht mospajtimet me vendime të caktuara nuk përmbushin standardin rigoroz i cili kërkohet që një kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë të ketë sukses”, thuhet në njoftim.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ishte dënuar në dhjetor të vitit 2022 Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Gjykata e Apelit ia kishte zbritur dënimin pastaj në 22 vjet burgim. Në rigjykim, ky dënim i ishte zbritur pastaj në 15 vjet burgim.
Salih Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.