Sulmuesit në veri ia thyejnë krahun gazetarit Pleurat Salihu

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se gjatë raportimeve të ekipeve të mediave, në komunën veriore të Leposaviqit, në vendin ku u sulmua grupi me gazetarë e kameramanë, gazetarit të DTV, Pleurat Salihut i është thyer krahu.

Sipas informatave nga kolegë prezent, Salihu ,ka pranuar ndihmën e parë mjekësore, posa ka arritur të largohen nga zona e rrezikut.

“Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, këto sulme janë të tmerrshme dhe të papranueshme. Ky është sulmi i tretë brenda një periudhe të shkurtër vetëm gjatë ditës së sotme, i shkaktuar nga protestuesit e maskuar serbë, në prani të organeve të sigurisë”, thuhet në fund të reagimit.

Po ashtu, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se gazetarja e RTV Dukagjinit, Dorentina Thaq është sulmuar me gurë dhe është qëlluar në kokë nga protestuesit e dhunshëm në veri.