Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër dy të pandehurve e inicialet S.J dhe I.S të nacionalitetit serb.
‘’Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit S.J dhe I.S. kanë tentuar të marrin pjesë në turmën e mbledhur dhe të ndërmarrin veprime të dhunshme të huliganizmit, në atë mënyrë që me datën 30.05.2023, në pikë kalimin kufitar në Jarinjë, komuna e Leposaviqit, fillimisht e kanë kaluar kufirin dhe në bashkëkryerje kanë ndërmarrë të gjitha veprimet përgatitore të nevojshme, sende të destinuara për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, dëmtimin e objekteve publike dhe private si dhe shkaktimin e dëmtimeve trupore personave zyrtar, duke qenë në kontakt me pjesëmarrës tjerë të turmës në Leposaviq, janë pajtuar që ti bashkëngjiten turmës së dhunshme të protestuesve serb të datës 29.05.2023, me ç’rast protestuesit kishin ushtruar dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe me armë zjarri, nga të cilat ishin lënduar të paktën (tridhjetë) 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, (tre) 3 nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe ishin shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovë, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe, duke shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë, mirëpo, të njëjtit janë ndalur nga ana e pjesëtarëve të policisë së Republikës së Kosovës dhe kështu është pamundësuar pjesëmarrja e tyre në turmën e lartpërmendur’’, thuhet në njoftim.