Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka theksuar se me shqetësim ka marrë informatën se kameramani i portalit Lajmi.net është sulmuar fizikisht përderisa po xhironte aksionin e KRU Prishtina për shkyçjen e borxhlinjve nga rrjeti i ujësjellësit në Shtime.
“Në pamjet e publikuara shihet se si një person i fyen dhe shanë gazetarët që kanë shkuar ta përcjellin ngjarjen, përderisa zyrtarët e Policisë së Kosovës e largojnë dhe i thonë të mos përdorë gjuhë të tillë:.
“Gjatë momentit të incizimit, një person e ka shtyrë kameramanin tonë në prani të Policisë së Kosovës. Madje edhe gazetarit që ishte duke përcjellë këtë ngjarje, Zgjim Sefës, i njëjti ka tentuar t’ia marrë mikrofonin”, thuhet në raportimin e Lajmi.net.
AGK i bën thirrje Policisë së Kosovës që të hetojë rastin në mënyrë që mediat të ushtrojnë profesionin e tyre pa u penguar.