Ambasada e Kosovës në Pragë ka publikuar numrin e telefonit për të gjithë shtetasit e Kosovës nëse kanë nevojë për ndihmë pas sulmit në këtë qytet që la së paku 11 persona të vrarë, përfshirë sulmuesin.
Po ashtu, ambasada iu tha qytetarëve që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve çeke.
“Pas raportimeve për një sulm të armatosur në qendër të Pragës, përkatësisht në Fakultetin e Filozofisë, Universitetin e Karlit. Ambasada e Republikës së Kosovës në Pragë iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale. Ju lutemi kontaktoni Ambasadën në +420 257 217 775 për çdo kërkesë për ndihmë konsullore”, ka njoftuar ambasada kosovare në Pragë.
Policia çeke më herët tha se disa persona janë vrarë dhe dhjetëra janë plagosur nga të shtënat në një universitet në Pragë.
Policia tha se personi i armatosur ishte “eliminuar” pas sulmit në Universitetin Charles, në sheshin Jan Palach në qendër të qytetit.
Mediat çeke raportuan se të paktën 11 persona vdiqën në incident, duke përfshirë edhe personin e armatosur.
Stafit të universitetit iu tha të “qëndrojnë në vend”, të barrikadojnë veten në dhoma dhe të fikin dritat.