Sulmi në Banjskë, avokati britanik: Hetimi ndërkombëtar do t’i ulte tensionet për këtë çështje

Drejtori ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve(me seli në Londër), Mark Ellis, ka thënë se për zbardhjen në tërësi të sulmit në Banjskë është i nevojshëm një hetim ndërkombëtar.

Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, ai ka thënë se vetëm një hetim ndërkombëtar do t’i ulte tensionet për këtë çështje.

Sigurisht që e mbështes atë kërkesë. Mendoj se është i nevojshëm për dy arsye kryesore. Së pari, akti ishte flagrant dhe shkelje e një sërë parimesh në bazë të ligjit. Është e rëndësishme që të ketë një hetim objektiv se kush qëndron prapa tij dhe cilat janë elementet terroriste. Mendoj, po ashtu, se hetimi ndërkombëtar do t’i ulte tensionet për këtë çështje, sepse nëse kërkohet nga cilado palë e ekuacionit të hetojë, nuk jam i sigurt se një gjë e tillë do të sillte ndonjë lloj pranimi të gjetjeve. Kështu që do ta mbështesja dhe do t’i bashkohesha kërkesës për një hetim ndërkombëtar dhe të monitoruar. Po.”, ka thënë Ellis.

Ai ka tregua se edhe kush duhet ta bëj këtë hetim.

Sipas tij, hetimi mund të bëhet nga OKB-ja, BE-ja, apo Këshilli i Evropës.

E para është një hetim i mandatuar nga Kombet e Bashkuara, një lloj komisioni. Ai do të mund të mandatohej nga sekretari i përgjithshëm, Këshilli i Sigurimit apo Asambleja e Përgjithshme. Kjo do të ishte një kërkesë e përshtatshme. Nëse do të pranohej, nuk e dimë. Por, kjo do t’i jepte besueshmëri të madhe një hetimi ndërkombëtar dhe të pavarur. Pra, kjo do të ishte qasja e parë”, është shprehur ai, duke shtuar se hetimin mund ta bëjnë edhe disa shtete.

E dyta do të mund të ishte jashtë sistemit të mandatit të OKB-së, do të mund të bëhej kërkesë për një mision shumëpalësh për hetime. Në atë rast, disa vende bëhen së bashku dhe kryejnë një hetim objektiv dhe intensiv. Është shumë e rëndësishme në rastin e Kosovës që të bëjë përpjekje për të gjetur se kush ka qenë përgjegjës për grupin e terroristëve [në Banjskë], a ka pasur mbështetje shtetërore apo ka vepruar i vetëm. Të gjitha këto duhet të hetohen dhe pastaj të nxirren gjetjet”, ka thënë Ellis.