Sulmi i 24 shtatorit, Von Cramon: Brukseli të ndryshojë qasjen ndaj dialogut Kosovë-Serbi

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se Brukseli duhet të bëjë një rishikim të qasjes ndaj dialogut Kosovë-Serbi.

Ai, për mediumin anglez “The Guardian”, u deklarua kështu pas zhvillimeve të fundit më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ku ndodhi një sulm terrorist nga disa serbë, në krye me Milan Radojiçiq, dhe mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Kemi qenë dëshmitarë të përkeqësimit dhe përfundimisht ngërçit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Ne duhet të dimë në çfarë mase dhe me ndihmën e kujt u krye sulmi, duke pasur parasysh sasinë e municioneve dhe automjeteve të blinduara”, tha Von Cramon-Taubadel.

BE-ja tani duhet të rivlerësojë strategjinë e saj të përgjithshme ndaj bisedimeve Kosovë-Serbi dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi,” tha ajo.

“Qasja aktuale, e cila fokusohet në stabilitetin ekonomik dhe politik, çoi në sulmin në Banjskë. Në vend të kësaj, ne duhet t’i japim përparësi sundimit të ligjit dhe demokracisë, dhe të angazhohemi më shumë në zërat përparimtarë nga i gjithë rajoni”, ka thënë Von Cramon.