Suksesi diplomatik: Pas një dekade, Kosova arrin tri njohje brenda vitit – Serbia s’flet më për çnjohje

Kosova ka arritur një fitore të rëndësishme diplomatike kundër Serbisë gjatë vitit 2025.

Për herë të parë që nga vitit 2015, Kosova ka arritur t’i fitojë tri njohje të pavarësisë së saj brenda një viti. Këtë shifër për herë të fundit Kosova e arriti në vitin e largët 2015. Pse dhe si?

Gjatë vitit 2015, Kosova ishte njohur nga tri vende të vogla, duke u konsideruar si një sukses diplomatik. Duke marrë parasysh momentumin gjeopolitik, atëkophë njohja e Kosovës nuk ishte më temë shumë e rëndësishme diplomatike për vendet aleate të shtetit kosovar.

Sidoqoftë, atëbotë Kosova gjatë vitit 2015 ishte njohur nga Cook Islands, Antigua dhe Barbuda dhe Niue. Pas këtij suksesi, Kosova ishte përballur me një politikë çnjohjesh nga ana e Serbisë, shkruan Gazeta Politika.

Një dekadë më vonë, Kosova ka ritkhyer suksesin diplomatik të njohjeve. Këto njohje erdhën përkundër një konteksti krejt të ri ndërkombëtar, që nuk favorizon lobimin për njohjen e Kosovës.

Përmes një politike aktive, ku spikatet roli i presidentes Vjosa Osmani, Kosova ka arritur tri njohje për pak muaj. Njohja e parë erdhi në mars, kur Kenia njohu Kosovën. Në këtë njohje një rol të rëndësishëm e luajti edhe Behgjet Pacolli, ish-president i Kosovës.

Disa javë më vonë, erdhi një njohjë tjetër e re. Në Forumin Diplomatik të Antalisë, presidentja Osmani e mori njohjen nga Sudani. Me shumë gjasë, kjo njohje erdhi edhe përmes koordinimit të Osmanit me homologun e saj turk, Rexhep Tajjip Erdogan, shteti i të cilit ishte organizator i Forumit Diplomatik.

Ndërsa dje erdhi edhe një njohje tjetër nga një vend i rëndësishëm në Lindjen e Mesme. Siria është bërë vendi i 120-të që njeh pavarësinë dhe shtetin e Kosovës. Edhe për këtë njohje njoftoi presidentja Osmani.

“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot ne Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë”– shkroi dje Osmani.

Përmes këtyre tri njohjeve, Kosova arrin të rikthejë një tempo të humbur që nga viti 2015 dhe njëkohësisht të thyejë bllokadën e vendosur nga Serbia në kuadër të lobimit për çnjohje. Fushata e çnjohjeve ishte bërë temë serioze diplomatike për Kosovën, aq sa në Marrëveshjen e Uashingtonit, Kosova ishte marrë vesh që të mos lobojë për pavarësinë e saj për një vit në mënyrë që Serbia të ndalonte fushatën e çnjohjeve.

Pesë vite pas kësaj marrëveshje të nënshkruar nga ish-kryeministri Abdullah Hoti, Kosova arrin një sukses të madh diplomatik. Njohjen e Kosovës nga Siria, gazeta e njohur kroate “Večernji list” e quajti një dush të ftohtë për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Serbia, e cila nuk vendosi sanksione ndaj Sirisë pavarësisht kërkesave perëndimore, ka mbajtur marrëdhënie të mira politike dhe ekonomike me Damaskun. Së bashku me Rusinë dhe Iranin, Siria ishte ndër vendet e pakta që mbështetën fuqimisht integritetin territorial të Serbisë. Pikërisht për këtë arsye shumë në Beograd e shohin njohjen e sotme të Kosovës nga Damasku si një tradhti dhe një goditje serioze për politikën e jashtme serbe” – shkruan “Večernji list”.