Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se 93 trupa të KFOR-it janë lënduar nga dhuna në veri të Kosovës.
Ai ka potencuar se Kosova dhe Serbia duhet të parandalojnë përshkallëzimin dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Kënaqësi të takohem me presidentin Vuçiç për të diskutuar dhunën e fundit në veri të Kosovës, e cila la të plagosur 93 trupa të KFOR-it. NATO ka dërguar trupa shtesë dhe zbaton mandatin e saj të OKB-së në mënyrë të paanshme. Prishtina dhe Beogradi duhet të parandalojnë përshkallëzimin dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE.”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.
Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës.
Situata ka eskaluar më datën 29 maj, kur grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it.