Statusi i çuditshëm i Sveçlës pas protestës së heronjve të Banjskës, përmend interesa personale e “rrugën e drejtë”

Tashmë ka përfunduar protesta para Qeverisë së Kosovës e heronjve të Banjskës.

Pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, që u përballën me sukses më 24 shtator në Banjskë me grupin e armatosur të Milan Radojiçiqit, dolën të maskuar e me uniforma në protestë, ku renditën 14 kërkesa. Por krejt pa maskë është Xhelal Sveçla, ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në fakt, statusi relativisht i gjatë i Sveçlës pas protestës së heronvje të Banjskës, është absolutisht i çuditshëm e me tone konspiracioniste. Në shkrimin e tij të gjatë 546 shkronja, Sveçla përmendi “rrugën e drejtë”, “dështimin”, “interesat personale e grupore”, ndërsa foli për njesitet speciale të Policisë së Kosovës, të cilat deklaroi se janë përkrahur më së shumti prej se është ministër.

Pjesa e parë: Lëvdatat e Xhelalit

Ndonëse një shkrim i vetëm, analiza e shkrimit të Sveçlës mund të ndahet në tri pjesë. Pjesa e parë është lëvdatat e Sveçlës për punën e tij. Në hyrjen e shkrimit, Sveçla flet për arritjet e viteve të fundit, ku përseritet narrativi zyrtar i pushtetit për uljen e pabarazisë, që tingëllon si një përseritje disi e programueshme e gati krejt bajate.

Pasi shkroi për nevojat, ekonominë, arritjet, barazinë, Sveçla flet për rritjen e buxhetit për Policinë e Kosovës.

“Në qasjen tonë, paga asnjëherë nuk ka qenë e shkëputur nga kushtet e tjera të punës që përbëjnë një aspekt esencial të trajtimit të punëtorëve të secilit sektor, ndër këta sigurisht edhe Policia e Kosovës.” – shkroi Sveçla.

I pari i MPB-së, pra Sveçla, listoi edhe disa miliona euro, që duket se i shfrytëzoi si “arsyetim” të narrativës së tij për “trajtimin e mirë të policisë”.

“Ritheksoj se për Policinë e Kosovës nga marrja e mandatit tonë deri sot e kemi rritur buxhetin për 30%, ndërkaq në investime kapitale rritja është prej 300%.

Buxheti për pajisje operacionale ka qenë më pak se gjysmë milioni, ndërkaq sot është mbi 9 milionë euro apo 21-fish më shumë.” – shkroi tutje Sveçla.

Pjesa e dytë: Ligjerata e Xhelalit

Pjesa e dytë e shkrimit është një ligjeratë nga ana e Sveçlës për sakrificën dhe për pamundësinë e shpagimit të sakrificës. Në fakt, në këtë pjesë Sveçla më shumë ngjan në një imam apo pastor, që shpjegon se vuajtjen do të shpaguhen në botën tjetër.

“Sakrifica asnjëherë nuk mund të jetë pikënisje për të përkufizuar një shpërblim sepse kjo formë përveçse e dëmshme del të jetë gjithnjë e pamundur.

Asnjë sakrificë të popullit shqiptar në histori, të asnjë individi nuk do të mund ta shpërblejmë për ta barazvlerësuar sepse jeta është e paçmueshme. Ajo nuk ka çmim. Asnjë çmim, asnjë shpërblim nuk do të jetë i barazvlefshëm, asnjëherë, me jetën porse ky është angazhimi ynë për vendin.” – shkroi ai.

Këto rreshta mund lehtësisht të interpretohen si sinjal i qartë se kërkesat e parashtruara nga NjSI-ja nuk do të plotësohen nga ana e Qeverisë Kurti. Sjellim ndër mend që njeriu që po shkruan për pamundësinë e shpagimit të sakrificës është një ministër me pasuri milionëshe. Meqeqënse Sveçla përmendi milionat, atëherë më saktë, pasuria e tij është 1 milion e 250 mijë euro.

Nga një pikëpamje klasore, vështirë që një ministër milioner arrin t’i kuptojë hallet e një polici me rrogë të vogël, që përditë e rrezikon jetën e tij në veri me grupet kriminale të Radojiçiqit.

Pjesa e tretë: Mendja konspirative e Xhelalit

Në pjesën e tretë, Sveçla tingëllon paranojak, madje edhe konspirativ. Në fund të shkrimit, Sveçla flet për “interesat personale e grupore”, të cilat do të dështojnë. Për më shumë, Sveçla flet edhe për rrugën e drejtë, duke tingëlluar si një besimtar mysliman që beson në “sirat al mustekim”.

“Të gjithë së bashku kemi shtruar një rrugë të drejtë e të sigurtë të ndryshimit të gjendjes së sigurisë në vend dhe kjo rrugë nuk ka më kthim mbrapa.

Kushdo që në çfarëdo forme, për interesa personale apo grupore tenton të përdorë situata të ndryshme me qëllim të zbehjes së këtyre angazhimeve është i predispozuar që të dështojë.

Ne nuk do të ndalemi. Sepse ne jemi në rrugën e duhur dhe të drejtë.” – shkroi ai./Nacionale