Takimi i radhës në nivel të negociatorëve kryesorë të Kosovës dhe Serbisë do të mbahet të mërkurën në Bruksel, njoftoi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke shtuar se pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe vullnet për kompromis për çështjen e dinarit. Ai ka theksuar se shpreson që ky të jetë takimi i fundit për këtë temë.
Ai ka theksuar se në takim do të kërkohet një zgjidhje e përkohshme e qëndrueshme për personat e prekur nga dekreti i BQK-së.
“BE pret që në takimin e së mërkurës, të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe vullnet për të arritur një kompromis,” tha ai.
Stano po ashtu thotë se vendi më i mirë për Kosovën dhe Serbinë për të diskutuar çështjen e përdorimit të dinarit është nën patronazhin e BE-së, duke theksuar se BE-ja është këtu për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për njerëzit e prekur nga dekreti i BQK-së.
“Ne presim që të dyja palët të vijnë në takimin e shtatë dhe të diskutojnë këtë çështje dhe të jenë të gatshëm për të gjetur një zgjidhje që do t’u përshtatet të dyja palëve, por në radhë të parë për t’iu përgjigjur nevojave të njerëzve që janë të prekur në terren”, tha Stano.
Ai shtoi se shpreson që ky të jetë takimi i fundit për këtë temë, pasi siç sqaron ai, këto tema e largojnë vëmendjen nga ajo që është realisht e nevojshme.
“Ajo që realisht nevojitet është progresi në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit me aneksin zbatues. Shpresojmë që palët të jenë në gjendje të sillen në frymën evropiane dhe të arrijnë kompromisin e nevojshëm. Por edhe një herë, si çdo gjë tjetër në dialog, në të vërtetë nuk varet nga ajo që ne dëshirojmë, varet nga gatishmëria dhe aftësia e të dy palëve për të arritur një kompromis të pranueshëm”, tha zëdhënësi i BE-së.
Sipas tij, pas gjithë këtyre takimeve, BE-ja pret që të dyja palët të sillen në mënyrë evropiane.
“Kush tha çfarë, kush bëri çfarë, kush refuzoi çfarë nuk është mënyra se si ne i zhvillojmë negociatat. Këto janë takime në nivelin e negociatorëve kryesorë. Negociatorët kryesorë nuk janë niveli më i lartë politik, nuk janë ngjarje të organizuara mediatike. Ata po përpiqen të gjejnë zgjidhje në bisedime konfidenciale, që është edhe mënyra evropiane për të përmirësuar proceset diplomatike në nivel teknik – në nivelin e negociatorëve kryesorë, në mënyrë diplomatike, në mënyrë evropiane, jo përmes mediave akuza, duke u drejtuar me gisht të tjerëve”, shpjegoi Stano.
Siç theksoi ai, BE-ja vazhdon të ndihmojë të dyja palët për të arritur kompromisin e nevojshëm.
“Njerëzit preken nga këto probleme, duke shpenzuar energji për zgjidhjen e kësaj në pesë, gjashtë, shtatë apo tetë takime, nuk mund të merremi me probleme të tjera që janë edhe më urgjente, që është zbatimi i marrëveshjes në dialog. Nuk është që ne të komentojmë për çdo lëvizje apo vërejtje në negociata, ne vetëm inkurajojmë të dyja palët që të tregojnë vullnetin e nevojshëm për t’u sjellë në mënyrë evropiane dhe më në fund të jenë në gjendje të bien dakord për një zgjidhje kompromisi, sepse në fund do të përfitojnë njerëz që preken nga ky vendim”, tha Stano.