Stano: Për masat e Kosovës vendos Këshilli i Ministrave në bazë të raportit të Borrellit

Bashkimi Evropian tha se Këshilli i Ministrave do të diskutojë për masat ndaj Kosovës mbi bazën e një raporti të Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së.

Deklarimi i BE-së pasoi kërkesën e institucioneve të Kosovës për heqjen e masave të vëna prej afro një viti, pas përmbushjes, siç u tha, të kushtit të fundit me organizimin e votimit për largimin ose jo të kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, më 21 prill.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kërkesa e Këshillit Evropian ishte që tha se mbajtja e votimit në katër komunat në veri të bëhet sa më shpejt dhe pa kushtëzime.

“Rreth masave, në përputhje me Përfundimet e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë masat e BE-së në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë rreth përmbushjes së kërkesave të BE-së”, tha Stano për RTV21.

Ai tha se rezultati i votimit nuk i kontribuon shtendosjes së tensioneve dhe nuk hap rrugën për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Kjo, tha Stano, është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve.

“BE-ja shpreh keqardhje se serbët e Kosovës në veri të Kosovës kanë humbur mundësinë për të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarët e komunave që do të ishin përfaqësues të vërtetë. Rezultati nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Stano.

Zëdhënësi i BE-së tha se përderisa “organizimi i votimeve për largimin e kryetarëve nuk ishte i pakushtëzuar, përfshirë risitë siç janë vendosja e kamerave të sigurisë, procesi megjithatë mundësoi organizimin e këtij votimi’’.

“Vendimi i partive politike që përfaqësojnë serbët e Kosovës në veriun që të tërhiqen nga procesi dhe thirrja për një bojkot rezultoi me një varg vështirësish, përfshirë edhe themelimin e disa komisioneve në vendvotime pa pjesëmarrjen e asnjë anëtari serb të Kosovës”, tha Stano.

Stano përmendi edhe sfidat që ka pasur KQZ-ja në organizimin e zgjedhjeve në komunat veriore.

“Mbi të gjitha, vendimi i drejtorëve të serb të shkollave në veri të Kosovës që të mos lejojnë shfrytëzimin e objekteve shkollore për vendvotime, disa ditë përpara votimit, ka krijuar një varg sfidash për KQZ-në. Kjo gjithashtu pengoi qasjen e qytetarëve në informatat e sakta mbi vendndodhjet e reja të vendvotimeve”, tha Stano.