Numri dy i qeverisë së Kosovës dhe njeriu që ka mbi shpinë barrën e negociatave të Brukselit, Besnik Bislimi, në vazhdimësi është duke kërkuar që Bashkimi Evropian t’ia heq masat Kosovës meqë kushtet për de-eskalim sipas tij janë përmbushur.
Në një intervistë për KTV, Bislimi ka thënë se BE-ja s’duhet ta detyrojë Kosovën që ta eskalojë përsëri situatën për të treguar që situata në Veri të vendit ka de-eskaluar. Por BE-ja në vazhdimësi ka qenë e qartë që masat për de-eskalim s’janë përmbushur ende, sa herë që Kosova ka kërkuar heqjen e masave.
Lidhur me këtë deklaratë të kryenegociatorit kosovar, Besnik Bislimi, në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express ka folur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Stano ka thënë se Brukseli zyrtar nuk e ndjen të nevojshme që të komentojë “gjithçka që dikush thotë në Kosovë”.
Zëdhënësi i BE-së tutje ka thënë se pritjet e BE-së nga Kosova janë formuluar në mënyrë të qartë në një numër konkluzionesh të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme në kuadër të Këshillit të BE-së.
Stano ka thënë se BE-ja pret nga partnerët e saj që aspirojnë të anëtarësohen në BE që një ditë të sillen dhe të veprojnë në mënyrë evropianë dhe në linjë me pritjet. Ndryshe, thotë Stano, ata që nuk e bëjnë një gjë të tillë vetëm do të izolohen edhe më shumë dhe rrezikojnë devijimin nga rruga për BE.
“Nuk ndjejmë nevojë të komentojmë gjithçka që thotë dikush në Kosovë. Pritjet e BE-së nga autoritetet e Kosovës ishin formuluar shumë qartë në një numër konkluzionesh të Këshillit Evropian dhe konkluzioneve të GAC. Ne presim nga partnerët që aspirojnë të anëtarësohen në BE një ditë të sillen dhe të veprojnë në mënyrë evropiane në përputhje me këto pritshmëri. Përndryshe ata vetëm do të izolohen edhe më shumë dhe do të rrezikojnë një dalje nga binarët nga rruga drejt BE-së.”, ka thënë Peter Stano për Gazetën Express.