“Kushdo që përpiqet të vërë në dyshim gjenocidin në Srebrenicë nuk ka vend në Bashkimin Evropian”, ka thënë zëdhënësi i Unionit, Peter Stano.
Këto komente, Stano i ka bërë në një konferencë për media të mërkurën, duke theksuar se çdo veprim në kundërshtim me parimet dhe vlerat evropiane ndikon në procesin e anëtarësimit të një vendi të caktuar në BE.
“Gjenocidi në Srebrenicë është një fakt historik shumë fatkeq dhe tragjik. Ne e kujtojmë këtë tragjedi çdo vit para asaj dite, 11 korrikun, në formën e një deklarate të përbashkët të Përfaqësuesit të Lartë dhe Komisionerit për Zgjerimin. Çfarë përmban në atë deklaratë është qëndrimi i BE-së, të cilën e kujtojmë çdo vit se kushdo që përpiqet të vërë në dyshim këtë gjenocid, që përpiqet të glorifikojë kriminelët e luftës, nuk ka vend në BE”, potencoi Stano.
Serbia dhe Republika Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – nuk e njohin gjenocidin në Srebrenicë.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të radhës, të mërkurën, e ka shpallur 11 korrikun si Ditë Përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.
Paraprakisht Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova po i bashkohet memorializimit të 11 korriku si Ditë e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Ndërsa, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi në maj rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Rezoluta për Srebrenicën kaloi me 84 vota në favor, kundër 19 dhe 68 abstenime.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, më 2007, lëshoi një vendim që thotë se Ushtria e Republikës Srpska kreu gjenocid në Srebrenicë në korrik 1995.
Gjykata e gjeti Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit. Gjykata po ashtu konstatoi se Serbia ka shkelur obligimin për të ndëshkuar kryesit e gjenocidit.