Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar takimin në nivel kryenegociatorësh Kosovë-Serbi të martën e javës së ardhshme.
Ndër temat që pritet të trajtohen në këtë takim është ajo e dinarit, duke shtuar se do të adresohen çështjet e mbetura.
“Ne do të kemi edhe një takim lidhur me dialogun Beograd-Prishtinë e lehtësuar nga BE-ja javën e ardhshme, të martën. Përfaqësuesi Special Miroslav Lajçak ka ftuar kryenegociatorët që të vijnë në Bruksel për të vazhduar diskutimet të cilat veçse kanë nisur për vendimin e BQK-së rreth dinarit dhe do të ketë edhe pika të tjera për diskutim mes kryenegociatorëve nga Serbia dhe Kosova në Bruksel. Pas takimit të parë që ishte i dedikuar vendimit të BQK-së duhen më shumë diskutime. Në takim do të diskutohen disa çështje që kanë mbetur. Është një ‘follow-up’ me kryenegociatorët”.
Stano nuk komentoi mbi deklaratat e Qeverisë së Kosovës se BQK është institucion i pavarur dhe vendimi si i tillë s’është politik.
“Ky problem u krijua si pasojë e mungesës së koordinimit dhe veprimit të njëanshëm që krijoi probleme në dialog. Por e mira është se ne filluam të merremi me këtë në kuadër të dialogut. Pra, vazhdimi i diskutimeve lidhur me dinarin do të jetë nga çështjet e pakta në rendin e ditës të martën e ardhshme”.
Stano tha se zbatimi i përgjithshëm i Marrëveshjes së Ohrit është një “nga çështjet më të ngutshme”, e cila do të diskutohet në këtë takim.